Italia: Kushtet e Shqipërisë për bisedimet

02/07/2014 00:00

Ndërsa Athina zyrtare ka artikuluar si kusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit Shqiperi-BE zgjidhjen e çështjes së marrëveshjes së kufirit detar, për Presidencën Italiane, e cila mori drejtimin e BE një ditë më parë, kushtet për Shqipërinë janë të qarta dhe të përcaktuara nga Këshilli Europian.

“Janë të qarta se cilat janë kushtet që duhet të përmbushë një vend kandidat për të hapur negociatat. Ato janë kriteret e vendosura nga Karta e Kopenhagenit dhe nuk janë të vendosura nga njëri vend apo tjetri. Këto kushte kanë të bëjnë me reformat dhe kërkohet punë serioze”, ka deklaruar ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani.

“Reforma në administratën publike, reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë reformat që vendi duhet të përmbushë në mënyrë që vendet anëtare të japin rekomandimin për hapjen e negociatave. Pra, axhenda është e qartë. Sapo këto kushte të përmbushen, vendet anëtare në unanimimet rekomandojnë hapjen e negociatave”, ka thënë përfaqësuesi i misionit të BE-së, Clive Rambold.

Italia, që e ka vendosur politikën e zgjerimit me vendet e Ballkanit perëndimor ndër prioritetet e presidencës së saj, deklaroi në Tiranë se do të ndihmojë Shqipërinë, tashmë vend kandidat, të përmbushë detyrimet për hapin tjetër integrues.

Por gjatë kryesimit të BE nga ky vend do të jetë më e rreptë politika e menaxhimit të kufijve të unionit dhe emigracionit, një problematikë me të cilën Italia përballet gjerësisht, dhe për të cilën shpesh herë ka qenë kritike edhe ndaj Bashkimit Europian. Italia do të kërkojë një rol më të madh të BE-së në Mesdhe, ku përfshihet edhe Shqipëria, për të përballur emigracionin e paligjshëm dhe frenimin e azilkërkuesve.

Prioriteti tjetër i prezantuar nga Italia është ulja e papunësisë në Europë, paralelisht me përballjen e euroskepticizmit. Është një problem serioz, tha ambasadori italian, duke prezantuar prioritetin tjetër të presidencës së vendit të tij, atë të fuqizimit të ndikimit të institucioneve europiane tek qytetarët e këtyre vendeve.

Top Channel