Heqje e liçencës kujt ndërton pa leje

02/07/2014 00:00

Deputetët në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese kërkuan heqjen e liçencës për subjektet që ndërtojnë në kundërshtim me ligjin.

Në seancën dëgjimore mbi projektligjin e planifikimit të territorit, shoqatat e ndërtuesve dhe arkitektëve thanë se sanksionimi me ligj i kësaj mase është mënyra e vetme për të rregulluar industrinë e ndërtimit.

“Heqja e liçencës është e vonuar. Kur në një objekt me leje bëhet një shtesë, t’i hiqet liçenca konstruktorit apo arkitektit, apo kur ndërtuesi e bën pa projekt. Natyrisht që duhet të hiqet se ajo s’ka as siguri”, deklaroi Maks Muçi nga Shoqata e Ndërtuesve.

Një tjetër problem i vërejtur në ndërtimet e pas viteve ‘90 është mungesa e cilësisë dhe standardeve në ndërtim. “Jemi ende me standardet e ‘89. Standardet dhe normat e ndërtimit duhet të bëhen sipas eurokodeve”, sugjeroi specialisti Avenir Kika.

Ndërtuesit shprehën shqetësimin e tyre sa i përket numrit të madh të vendimeve që duhet të shoqërojnë këtë ligj. Po ashtu, ata kërkuan që afati për miratimin e planit të përgjithshëm kombëtar të afrohet nga 20 në 10 muaj, me qëllim zhbllokimin e lejeve të ndërtimit, të bllokuara prej 5 vitesh.

Top Channel