Eliminimi i hidhur i Zvicrës

02/07/2014 00:00

Eliminim mjaft i hidhur! Kështu është përkufizuar nga mediat zvicerane humbja e kombëtares së tyre që erdhi në 2 minuta para se ndeshja të shkonte drejt 11-metërshave.

Eliminim brutal për Zvicrën! Ky është titulli i faqes online të Blick, e cila gjatë komentit për ndeshjen ka theksuar se dhe fati nuk ka qenë me ta.

Xhemajli dhe Shaqiri bënë të pamundurën për të çuar shpresat drejt 11-metërshave, por në minutën e 120 Argjentinës i erdhi në ndihmë shtylla, lojtari i palëvizshëm që i dha kualifikimin Mesit dhe shokëve të tij.

Humbje e hidhur! Zvicra luftarake bie në fund është titulli kryesor i Aargauer Zeitung. Po kjo e përditshme në faqen e saj online ka publikuar dhe foto të tifozëve zviceran gjatë pësimit të golit të kombëtares së tyre në sheshet e ndryshme.

Gazetat që publikohen në gjuhën franceze e kanë mbështetur titullin e tyre te goli i Argjentinës.

Di Maria kryqëzon Zvicrën në minutën e 118. Gazeta Blick ka publikuar edhe një artikull vetëm për teknikun gjerman, i cili nuk do të jetë më trajner i kombëtares.  

Edhe pas kësaj humbjeje, kjo gazetë ka kujtuar se gjermani 65-vjeçar mbetet trajneri më i suksesshëm në historinë e kombëtares zvicerane. Shkrimi mbyllet në fund me frazën: Faleminderit për çdo gjë, Ottmar!

Top Channel