Belgjika kalon SHBA-në, por gjen Argjentinën

02/07/2014 00:00

Belgjika është ekipi i tetë çerekfinalist në Kampionatin Botëror “Brazili 2014”, pasi mundi SHBA-në 2-1.

Kombëtarja e drejtuar nga Marc Wilmots zhvilloi një 90 minutësh mjaft të mirë, por fati nuk ishte me ta, pasi rastet pa fund dhe gjuajtjet e shumta të tyre në drejtim të portës nuk u finalizuan me gol dhe ndeshja shkoj në shtesë.

Wilmots vendosi menjëherë të bëjë zëvendësime, largoi Divock Origi dhe aktivizoi Romelu Lukaku-n, i cili u kthye menjëherë protagonist i kësaj ndeshjeje. Në minutën e 93 Lukaku dhuroi një top të bukur për Kevin de Bruyne, i cili pas shumë rasteve të humbura në 90 minutat e rregullta tani nuk gaboi më dhe e dërgoi topin në rrjetën e Tim Howard.

Pas këtij goli belgët u tërhoqën duke kërkuar të ruajnë këtë rezultat dhe të ndëshkonin me kundërsulm. Në minutën e 105 ishte sërish Lukaku, por këtë herë jo duke asistuar për shokët e tij, por ishte autor i golit të dytë.

Edhe pse kishin ngelur vetëm 15 minuta nga fundit dhe gjendeshin në disavantazh të dy golave të besuarit e gjermanit Klinsmann nuk dorëzohet dhe hidhen në sulm me të gjitha forcat. Julian Green, i aktivizuar në minutën e 105, vetëm 2 minuta më vonë shkurtoi diferencën. Më pas, pavarësisht rasteve SHBA nuk arriti ta çojë ndeshjen te 11-metërshat dhe me këtë rezultat tashmë bëhet ekipi i 24-t që largohet nga ky Botëror.

Ndërsa Belgjika tashmë do të ndeshet me Argjentinën e Lionel Messit në çerekfinale, një ndeshje me të vërtet e paparashikueshme, duke parë edhe atë që kanë paraqitur të dyja ekipet deri tani.

Trajneri i Belgjikës Marc Wilmots edhe këtë herë nuk preferoi të aktivizojë për asnjë minutë të vetme Januzajn edhe pse ndeshja shkoi në shtesë.

Top Channel