Marrja e presidencës së BE-së për 6 muajt e ardhshëm solli edhe krijimin e grupit parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Itali.

Në ceremoninë e organizuar, Kryeministri Edi Rama tha se ky grup duhet të jete realisht në funksion të thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ne jemi këtu jo për të bërë tifozllëk për dy skuadra të ndryshme dhe as për të zhvilluar ndeshjen tonë pa mbarim, por për t’u bashkuar që të ndërtojmë një urë të re me anën tjetër të detit. Është vërtet shumë kuptimplotë, prandaj uroj shumë që ky grup miqësie të mos mbetet një shprehje virtuale e miqësisë së posaçme që tani na lidh pazgjidhshmërisht, por të bëhet ura e rritjes dhe arritjes së këmbimeve të shumë dëshiruara mes nesh”, u shpreh Kryeministri Rama.

Nga ana e saj kryetarja e këtij grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Itali, Majlinda Bregu vlerësoi rolin e Italisë në mbështetjen e dhënë Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

“Ka qenë Italia, sikurse edhe shumë vende të tjera, të cilat jo vetëm kanë besuar se rruga e gjatë e integrimit mund të përshkohet, por që na kanë ndihmuar në çdo kthesë të papritur për të mbërritur në atë vendim të merituar me kohë, por të vonuar në kohë të marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, deklaroi Majlinda Bregu.

Nga ana e tij, ambasadori italian në Shqipëri, Massimo Gaiani shprehu dhe njëherë vendosmërinë e Italisë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën europiane.

“Italia do të përpiqet që gjatë këtij 6 mujori të drejtimit të Këshillit Europian, të bëjë ç’është e mundur për zgjerimin e Bashkimit Europian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ne urojmë që në fund të këtij 6 mujori të jenë arritur suksese në përparimin e këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor e veçanerisht Shqipërisë”, tha Gaiani.

Takimi grupit parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Itali, u pasua nga një koncert i zhvilluar nga Ambasada Italiane në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, ku të rinj nga Shqipëria dhe Italia performuan pjesë të ndryshme muzikore, të kopozitorëve me të njohur europian.

Top Channel