Patrullimi i përbashkët i rrugëve

01/07/2014 00:00

Ka nisur patrullimi i përbashkët i policisë shqiptare dhe asaj kosovare, në “Rrugën e Kombit”.

Sipas një plani nga të dyja palët, patrullimet e përbashkëta do të fokusohen në akset rrugore kombëtare, që lidhin bregdetin shqiptar me rajonet e tjera të vendit.

Në ceremoninë e fillimit të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit policor, në Vërmicë, morën pjesë të dy përgjegjësit e Divizionit të Komunikacionit Rrugor të Policisë së Kosovës dhe përgjegjësi i Komunikacionit Rrugor nga Shqipëria.

“Ky është viti i pestë, që ne organizojmë një bashkëpunim të tillë. Mund të them se gjatë 4 viteve të para ky bashkëpunim ka qenë i frytshëm dhe i shkëlqyer. Të gjithë qytetarët që kanë kaluar në atë pjesë rruge, i kanë mirëpritur patrullimet e përbashkëta që kemi realizuar në territorin e Republikës së Shqipërisë, gjë që po vazhdon edhe sot”, tha Sherehmet Ahmeti, nga Policia e Kosovës.

“Të sigurohet vazhdimësia e procesit të tyre me opsionin dhe qëllimin kryesor parandalimin e aksidenteve rrugore, parandalimin dhe ndëshkimin e të gjitha shkeljeve, të cilat janë burim i shtuar për aksidentet”, shtoi Lefter Hysi, drejtor i Policisë Rrugore.

Fillimi i patrullimit të përbashkët policor është pritur mirë nga udhëtarët, por ata kërkojnë më shumë lehtësi në doganë.

Patrullimi i përbashkët i akseve rrugore do të bëhet nga data 1 Korrik deri më 31 Gusht.

Top Channel