“Mister Konjaku” dhe provokimi europian ndaj Londrës

01/07/2014 00:00

Arben Manaj – Zgjedhja e Presidentit të ri të BE-së, Juncker, në krye të punëve të Unionit, ka gjasa të ketë implikacione të thella dhe afatgjata për vetë të ardhmen e kësaj Federate politike shtetesh.

I njohur si adhurues i konjakut që në pikë të mëngjesit, pa të cilin nuk e fillon dot ditën e punës, federalist i vjetër, 19 vjet Kryeministër i Luksemburgut, i pari i vendit liliput të kontinentit, do të jetë “Gjiganti i Brukselit”, edhe përkundër refuzimit publik të kandidaturës së tij prej Britanisë, një prej vendeve më të mëdha të BE-së, por çka është kryesorja, një prej kontribuuesve më të mëdhenj të arkës së tij.

Shumëkush e cilësoi dështim “dështimin” e Cameron për të frenuar presidencën e “Mr. Cognac”-ut. Por britanikët nuk janë aq naivë sa ç’mund të mendohet me naivitet diplomatik.

Lënë mënjanë axhendën euroskepktike të partisë së tij, konservatorëve britanikë, shqetësimi real i kryeministrit aktual të Britanisë së Madhe, qëndron tek e ardhmja e pasigurt e funksionimit normal të BE-së në një plan afatgjatë, për shkak të paaftësisë së saj për të reflektuar pas recesionit të fundit. Recesion që Britania e ndjeu më pak se të tjerët dhe ka dalë e para prej tij.

Ndërkohë që Londra është në pozitën më të fortë ekonomike momentalisht në krahasim me vendet e tjera, por edhe për injorimin e sinjaleve që dhanë votuesit europianë në zgjedhjet e fundit europarlamentare.

Praktikisht sjellja politike në samitin e fundit që çoi në konfirmimin e Juncker-it si President i ri, është një tregim i de facto, i gishtit të mesit, votuesve paneuropianë.

Ajo që kërkonin britanikët ishte një figurë dhe personalitet kompromisi për atë post, që do të ishte më larg federalistit klasik që përfaqëson dhe simbolizon Juncker, dhe më afër një figure realiste dhe pragmatiste, jo domosdoshmërisht euroskeptiku të thekur.

Por ajo që ndodhi është injorimi fatal i asaj që ka dominuar prej dekadash frymën politike në kontinent, sidomos në vendimmarrje të mëdha politike; pikërisht kompromisi për hir të interesave më të mëdha dhe më afatgjata, siç është vetë e ardhmja e ekzistencës së BE-së apo ekzistencës së saj, jo në formatin që njohim aktualisht.

Konfirmimi i Presidentit të ri është provokim i hapur ndaj Britanisë, nga njëra anë, por edhe demonstrim i arrogancës së Gjermanisë së fortë ekonomike dhe shtrëngimit për fyti që kancelarja Merkel u bën thuajse tërë udhëheqësve të tjerë të BE-së, të cilët nuk mund të marrin dot frymë aq lirshëm, nëse ajo ua shtrëngon atë.

Këtu kam parasysh jo vetëm Greqinë, por edhe Italinë, pa harruar pastaj ndonjë shtet tjetër të ekstremit lindor, si Lituania apo Finlanda, që kryetarët e tyre të shteteve sillen si ata “çerrat e vegjël” të lagjeve dhe u bëjnë karshillëk atyre, prej të cilëve edhe varen ekonomikisht në një analizë të ftohtë dhe të fundit.

I tillë ishte edhe prononcimi i Kryeministrit të Finlandës që me një pamje të ngjashme prej Drejtori Ekzekutiv të ndonjë shoqate LGBT-je, tërë arrogancë deklaronte se “dikush në Britani duhet të ngrihet në mëngjes dhe të ndiejë shijen e kafesë”, duke harruar se jetojnë nën frikën e përditshme të teshtitjes së Putinit dhe me sytë nga të fuqishmit e Atlantikut.

Një argument është se Britania nuk bën dot pa Europën në rast largimi, pasi kontinenti është gjysma e tregut të eksporteve britanike.

Por në rast largimi të Britanisë, edhe tregu europian humbet 50 për qind të importeve britanike dhe shërbimeve financiare që kanë origjinë ishullin.

Rreziku më i madh i mungesës së konsensusit për shqetësimin britanik, është shtyrja me ose pa vetëdije e banorëve të saj, por edhe klasës politike britanike, drejt një referendumi për të ardhmen e vendit në BE, një referendum që askush nuk e di se si del, e që momentalisht një fije letre duhani e ndan Po-në nga Jo-ja.

Mentaliteti prej ishullori, por edhe prej një kombi që ka bërë tregti me tërë botën historikisht dhe që di të identifikojë më shpejt se shumë të tjerë hapësirat e biznesit dhe përfitimit ekonomik edhe përtej Europës së plakur krahasimisht me rajonet e tjera me bum ekonomik, bëjnë që euroskepticizmi të zërë rrënjë më shpejt, ndaj atyre vlerave të identifikuara që ofron një Europë e bashkuar.

Këtë mentalitet nuk e ndihmojnë edhe retorikat për abuzivitetin korruptues dhe burokracinë famëkeqe të euroelitës së Brukselit, e cila njihet për ekseset e saj financiare dhe abuzimet e shpenzimet marramendëse me financat kolektive, por jo të barabarta të shteteve anëtare.

A nuk është vizita e Barrosos në Tiranë p.sh. një akses i një njeriu që tashmë është ish-president i BE-së që një Zot e di se për çfarë erdhi realisht dhe çfarë efekti do të ketë një tur lamtumire nëpër vende të ndryshme me shpenzime dhe avionë të posaçëm të financuar nga taksapaguesit europianë.

Pikërisht Barroso, që drejtoi Europën dhe në kohën e tij ky union pësoi një nga krizat më të forta ekonomike me dështime e syleshje tipike burokratike ndaj sjelljes financiare të Greqisë p.sh., dhe askujt prej kastës drejtuese me në krye Barroson nuk i hyri gjemb në këmbë, pikërisht për shkak të mungesës efektive të llogaridhënies politike të këtyre burokratëve, që nominohen dhe nuk votohen.

Këto janë frustrimet e britanikëve dhe euroskeptikëve, që i përçoi vokalisht kryeministri britanik në shenjë reflektimi, duke kërkuar reformë, që bëhet nga reformatorë dhe jo nga xhaketat e vjetra të Brukselit, që mbesin po aty ku janë të fosilizuar e atrofizuar, si dikur kastat politike dhe polit-byrotë në kohën e komunizmit europianolindor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA