Basha: 10 muaj vetëm zhgënjime

01/07/2014 00:00

Për Partinë Demokratike, e cila është ende në gjysmën e rrugës për riorganizimin nga e para pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, të rifitojë besimin e qytetarëve është procesi më i rëndësishëm dhe që kryetari Lulzim Basha e cilëson si jetik për të ardhmen e vendit.

Gjatë konferencës zgjedhore në Fushë Krujë, zoti Basha vuri në dukje se qytetarët e zhgënjyer nga keqqeverisja dhe premtimet e pambajtura të koalicionit Rama-Meta duhet të orientohen drejt Partisë Demokratike, si e vemtja forcë serioze politike, që ka faktuar se i mban premtimet e saj.

“Në këto 10 muaj, zhgënjimi i thellë popullor me zullumet e dyshes Rama-Meta ka patur dimensione të jashtëzakonshme. Mashtrimet, zullumet dhe përkeqësimet ndihen kudo. Një vit pas rrotacionit politik nuk vihet re asgjë e re, asgjë e mirë, por përkeqësim në çdo fushë, duke nisur me xhepat dhe tavolinat e qytetarëve, duke vazhduar me perspektivën për të nesërmen, me sigurinë e jetës, me demokracinë në vend, përkeqësim në të gjitha fushat”, deklaroi Basha.

Sipas zotit Basha, ringritja e Partisë Demokratike do të vazhdojë të ketë në themel votën e lirë të anëtarësisë së saj, si rruga më e mirë për ta bërë partinë e parë opozitare në vend më të fortë, më të përgjegjshme dhe më të besueshme për qytetarët.

Top Channel