Ashtu sic ishte paralajmëruar, Presidenti Bujar Nishani organizoi një ceremoni pritjeje me rastin e marrjes së statusit të vendit kandidat.

Të pranishëm në këtë ceremoni, vec kreut të shtetit ishte edhe Kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta, Ambasadori Amerikan, Alexandër Arvizu, pjesëtarë të kabinetit qeverisës dhe personalitete të tjera të politikës.

Në fjalën e tij, Presidenti Nishani vlerësoi marrjen e statusit kandidat si një stacion të rëndësishëm në rrugën drejt realizimit të ëndrrës së shqiptarëve, integrimin e plotë në Bashkimin Europian si dhe bëri thirrje për bashkëpunim në realizimin e asaj që ai e quajti “mision historik”.

“Statusi është arritja jonë e përbashkët pa dallim. Sot është dita për të reflektuar për kohën që nuk duhet ta humbim më. Shpresoj dhe besoj që me punë dhe vendosmëri të hapim negociatat së shpejti. Le të ngrihemi të gjithë në lartësinë e këtij misioni historik”, tha Nishani.

Pritja e Presidentit ishte njëra nga tri festat që ndanë klasën politike shqiptare për statusin. Të shtunën Kryeministri Rama organizoi në Pallatin e Brigadave një ceremoni të tillë me të ftuar Presidentin, ish-kryeministrat, deputetët e Kuvendit dhe ambasadorët e huaj.

Por ceremonia u bojkotua ish-Kryeministri Berisha dhe nga gjithë deputetët demokratë që kishin zgjedhur koncertin festiv të organizuar nga Bashkia e Tiranës në Amfiteatrin e Liqenit, të njoftuar vetëm të shtunën e që niste vetëm 30 minuta para ceremonisë së qeverisë.

Top Channel