
Nga Konferenca Zgjedhore e Kurbinit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u kërkoi drejtuesve të rinj të zgjedhur deri tani dhe atyre që do të dalin nga vota e drejtpërdrejtë e anëtarësisë, që të nisin me shpejtësi ringritjen e degës përkatëse, duke pasur në fokus kryesor rikthimin e besimit të qytetarëve te Partia Demokratike.
“Drejtuesit duhet të garantojnë, përveç vendosmërisë, edhe gatishmërinë e përkushtimin për të përqafuar alternativën tonë, bashkimin dhe ribashkimin e gjithë kontributeve historike, hapjen dhe ripërtëritjen e partisë, opozitën e fortë dhe të vendosur, por opozitën me fakte. Qytetarët shqiptarë e dinë që ne jemi partia, që kemi vullnetin, besimin, energjitë dhe kapacitete për t’iu rikthyer shpresën, për t’iu rikthyer besimin dhe për të udhëhequr edhe njëherë vendin drejt arritjes dhe përmbushjes së aspiratave mbarëpopullore, për dinjitet, për mirëqenie, për siguri, për integrim”, u shpreh Basha.
Duke i konsideruar demokratët si aksionerë të barabartë në Partinë Demokratike, zoti Basha vuri në dukje rëndësinë e lirisë së votës në zgjedhjen e drejtuesve të rinj, të pandikuar dhe të padiktuar nga askush.
Top Channel