Barroso: Konsensusi, çelës për në BE

30/06/2014 00:00

Në të vetmen hapësirë që palët politike u bënë bashkë për herë të parë për të marrë dhe ndarë urimet për statusin e vendit kandidat, ishte kjo seancë jashtë radhe e parlamentit shqiptar, kur në podiumin e saj ishte rezervuar mbajtja e fjalimit nga presidenti i Komisionit Europian, Zhose Manuel Barroso.

Opozita që prej 10 ditësh kishte bojkotuar Kuvendin zuri karriket e saj në institucionet e legjislativit, duke bërë që kjo seancë, e cila u ndoq nga afër edhe nga trupi diplomatik shqiptar, të kishte prezencën e pothuaj të gjithë deputetëve.

Drejtuar tyre, Barroso i mëshoi mesazhit më të rëndësishëm të fjalimit të tij 30-minutësh duke iu treguar se kush është sekreti dhe garancia e anëtarësimit në BE: “Konsensusi në vend. Ky konsensus është kyç për rrugëtimin europian. Vetë kam qenë kryeministër në vendin tim, Portugali, anëtar i një qeverie për 12 vjet dhe një gjë nuk e kam pritur asnjëherë mbështetjen e opozitës. Ashtu sikundër kur kam qenë në opozitë të kisha mbështetjen e qeverisë. Por… dhe kjo por është shumë e rëndësishme. Është e mundur. Është e mundur që në disa sektorë të ndërtohet konsensusi i vërtetë. Real. Për ato fusha strategjike për vendin. Këtë kanë bërë të gjitha vendet anëtare. E kemi të rrënjosur në AND-në e Bashkimit Europian kulturën e konsensusit dhe këtë e presim edhe nga vendet kandidate për në BE.”

Ndërsa pjesën më të madhe të fjalimit të tij, presidenti i Komisionit Europian e pati përqendruar tek prova që dha për BE-në statusi i vendit kandidat për Shqipërinë. Ky akt që tregoi se BE-ja i përmbahet fjalës kur vendi përmbush kriteret, përgënjeshtron ata që thonë se BE-ja nuk është e besueshme, por edhe pesimistët profesionistë për projektin e BE-së. Pavarësisht krizës, BE-ja po ecën përpara, tha presidenti i Komisionit Europian, një rrugëtim që sipas tij nuk do të jetë i plotë asnjëherë pa vendet e Europës Juglindore.

“Megjithatë, zgjerimi nuk është një profetësi vetëpërmbushëse. Nuk është një rrugë vetëm me një drejtim. Kërkon vizion politik. Ka gjithmonë çështje që dalin. Sfida që duhen përmbushur. Por, këto përpjekje ia vlejnë. Në radhë të parë për të mirën e qytetarëve tuaj”, tha Barroso.

Ndërsa disa herë nënvizoi se BE-ja është aty, është  një projekt që funksionon, është në pritje të vendeve që plotësojnë kriteret,  presidenti i Komisionit Europian që i drejtohet për herë të fundit shqiptarëve nën këtë cilësi, konkludoi në mesazhin drejtuar atyre se integrimi në BE varet nga politikanët e tyre: “Unë besoj se Shqipëria do të bëhet vend anëtar. Këtë mesazh ua sjell fare qartë. Tani shumica e punës varet nga ju. E keni ju në dorë si përfaqësues të këtij populli krenar. Më lejoni t’ju bëj të qartë se Komisioni Europian do t’ju mbështesë me ekspertizë e politika financiare e mbi të gjitha me përkushtim që së bashku me popullin shqiptar të shkruajmë të ardhmen europiane të këtij vendi dhe të shkruajmë kapitujt e ardhshëm të historisë suaj të madhe”.

Barroso, takime me Nishanin, Metën dhe Bashën

Ndërkohë, presidenti Bujar Nishani nderoi me dekoratën “Flamuri Kombëtar” presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, në një ceremoni ku ra në sy edhe prezenca e ish-kryeministrit Sali Berisha, aktualisht deputet i Partisë Demokratike.

Presidenca nuk sqaroi në njoftimin për shtyp se në çfarë cilësie Berisha ka qenë prezent në këtë ceremoni. Por e kontaktuar nga Top Channel, zëdhënësja e kreut të shtetit tha se zoti Berisha ishte ftuar në cilësinë e ish-kryeministrit, kur vendi përmbushi standardet kryesore për statusin kandidat.

Ndërkohë, në njoftimin për shtyp, Presidenca thotë se kreu i shtetit e ka siguruar presidentin e Komisionit Europian se ai do të mbështesë të gjitha reformat ligjore dhe institucionale për integrimin e mëtejshëm të vendit.

Ndërkohë, në takimin me kreun e Parlamentit Ilir Meta, Barroso, sipas njoftimit zyrtar, theksoi se pas miratimit të statusit të vendit kandidat Bashkimi Evropian do t’i kushtojë gjithnjë e më tepër vëmendje Shqipërisë dhe ecurisë së axhendës së saj evropiane. Ai tha se Kuvendi merr një rol të rëndësishëm si platformë e dialogut politik.

Mbështetje të pakushtëzuar për integrimin ka dhënë edhe kreu i opozitës Lulzim Basha në takimin që pati me presidentin e KE. Sipas një njoftimi zyrtar të opozitës, zoti Barroso vlerësoi kontributin e Partisë Demokratike në qeverisjen e vendit dhe reformat e ndërmarra që mundësuan ecjen përpara të procesit të integrimit europian.

Ndërkohë, për Bashën, zbatimi i Kushtetutës, ligjit dhe vendimeve të gjykatave mbeten një sfidë e madhe. Ai e njohu presidentin Barroso me zhvillimet shqetësuese në vend, ku qeveria refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të vendit.

Basha e informoi mysafirin për prishjen e konsensusit për ligjin e nëpunësit civil, shkarkimet në administratë, si dhe heqjen e kompetencave të presidentit të Republikës. Kreu i PD e informoi edhe për blerjen e votës në Korçë, emërimet e personave të inkriminuar në administratë, dhunën ndaj deputetëve opozitarë në Parlament. 

Top Channel