“Ekipi i ri i PD, alternativë qeverisëse”

29/06/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor në Korçë, Pogradec dhe Devoll.

Ndërsa qeveria e sotme, sipas tij, është e orientuar vetëm tek propaganda dhe e ka zhytur vendin në krizë, zoti Basha tha se ekipi i ri drejtues i PD-së do t’i japë një dimension të ri në alternativën e saj qeverisëse zhvillimit ekonomik dhe demokracisë pjesëmarrëse.

“Të orientohemi sot në opozitë drejt kapaciteve dhe mendësisë për të ndërtuar nesër një qeveri që është më shumë në punë se sa në televizor, që prodhon më shumë rezultate se propagandë. Që do t’i japë dimension të ri demokracisë pjesmarrëse, që do të projektojë duke filluar që tani drejtimet e reja të zhvillimit të vendit, në kushtet e hapjes dhe të konkurencës me tregjet e BE”, deklaroi Basha.

Kryetari i PD theksoi se një parti me demokraci funksionale brenda saj, e cila dëgjon dhe respekton zërin e anëtarëve të saj, është garanci për funksionimin e saj në qeverisje dhe në raport me qytetarët shqiptarë.

Sfida dhe qëllimi kryesor i zgjedhjeve që po zhvillohen në gjithë piramidën e Partisë Demokratike, shtoi Basha, është të nxjerrim me votë të lirë  drejtuesit e fitores se nesërme. Zgjedhja me votë të anëtarësisë e drejtuesve të partisë është një vlerë e jashtëzakonshme që  duhet të dimë ta përdorim me zgjuarsi dhe me përgjegjësi, theksoi kryetari i PD-së.

Top Channel