Statusi, palët festojnë të ndara

28/06/2014 00:00

Në Pallatin e Brigadave është mbajtur mbrëmjen e së shtunës ceremonia festive me rastin e marrjes së statusit të vendit kandidat, ku kanë marrë pjesë ministra, deputetë të mazhorancës dhe ambasadorë të akredituar në Tiranë.

Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka vlerësuar përpjekjet e bëra nga të gjitha palët, pa harruar edhe opozitën, dhe ka kërkuar një bashkëpunim të mëtejshëm për të arritur objektivin e madh të shqiptarëve.

“Kjo arritje ishte një dyfishim i përpjekjeve të të gjithë neve. Të qeverisë, opozitës, institucioneve, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit. Të mos vonohemi më për të arritur objektivin tonë kryesor: anëtarësimin në BE. Është e vështirë, por jo e pamundur. Prandaj apeloj për një bashkëpunim më të ngushtë për të fituar kohë. T’i çojmë përpjekjet tona të gjithë në një drejtim, atë të Shqipërisë evropiane”, ka deklaruar Meta.

Ndërsa kryeministri Edi Rama jo rastësisht e ka hapur fjalimin e tij duke uruar besimtarët myslimanë për Muajin e Ramazanit, duke vënë në dukje prirjet evropiane të myslimanëve shqiptarë. Sipas Ramës, është pikërisht kjo prirje dhe besimi i moderuar që kanë bërë që shqiptarët të kthehen në një faktor të pamohueshëm paqeje në rajon.

“Shqiptarët kanë qenë dhe janë aleatë të palëkundur të SHBA dhe BE në rajon, ku Shqipëria ka qenë gjithnjë faktor paqeje dhe stabiliteti. Në erën e re që po fryn në Ballkanin e sotëm, shqiptarët kanë një rol të pamohueshëm”, ka deklaruar Rama.

Duke qëndruar tek stabiliteti rajonal dhe duke përsëritur meritat e shqiptarëve në këtë drejtim, shefi i qeverisë ka kritikuar vendet fqinje se nuk i janë përgjigjur në të njëjtën mënyrë nevojës për paqe.

“Vendet e rajonit kanë bërë marrëveshje për hir të së ardhmes evropiane. Por as Marrëveshja e Ohrit dhe as ajo e prillit Kosovë-Serbi nuk respektohen nga palët e tjera”, ka thënë ai.

Më tej në fjalimin e tij, Rama ka pranuar ekzistencën e problemeve si krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri e Kosovë, por nga ana tjetër ka dërguar mesazhin e forte se vendet e BE-së kurrë më nuk duhet t’i identifikojnë shqiptarët si “fqinjët vrasës”.

“Shqiptarët janë një aset i vyer politik për Evropën. Ky vend dhe ky popull meritojnë të respektohen më shumë, për shkak të atyre që u kanë dhënë Evropës në këto 20 vjet. A nuk janë këto marrëveshje një mrekulli për shqiptarët e konsideruar si fqinjët vrasës? Kjo është një histori suksesi dhe një histori e re në marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit”, është shprehur Rama.

Kryeministri e ka mbyllur fjalën duke shprehur vetëdijen për detyrimet që Shqipëria duhet të plotësojë në rrugën e saj të integrimit dhe ka shtuar se, askush nuk ka iluzione që vendit do t’i bëhen lëshime në këtë rrugetim kaq të rëndësishëm.

Partia Demokratike te festa e Bashkisë
Basha: Falënderim për këdo që luftoi. Ish-kryeministri: Festojmë me qytetarët

Partia Demokratike, sikurse ishte lehtësisht e parashikuar, i është bashkuar festës së Bashkisë së Tiranës për marrjen e statusit kandidat. I gjithë grupi parlamentar i PD-së ishte pasditen e së shtunës në Amfiteatrin e Liqenit.

Nuk kishte si të mungunte në këtë festë as Sali Berisha, edhe pse ishte i ftuar si ish-kryeministër në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Brigadave. “Zgjodha të festoj me qytetarët”, ka thënë Berisha duke iu përgjigjur shkurt pyetjes së Top Channel.

Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherazi dhe kryetar i PD-së, Lulzim Basha ka dekalaruar se ky është një moment për të nderuar të gjithë ata që luftuan për marrjen e statusit, duke veçuar ish-kryeministrin Berisha.

“Është një rast shumë i mirë për të kujtuar e nderuar ata që dhanë kontribut të çmuar për ardhjen deri këtu. Kemi njerëz që meritojnë falenderime të veçanta dhe që kanë një domethënie të pakthyeshme për shoqërinë, siç është ish-kryeministri Sali Berisha. I shpreh mirënjohjen edhe BE-së dhe vendeve anëtare dhe shoh në këtë vendim vulosjen e përpjekjeve tona që lamë pas për të përmbushur këto kritere”, ka thënë Basha.

Nën tingujt e kompozitorëve më të njohur europianë, Bashkia e Tiranës dhe Partia Demokratike kanë vendosur ta festojnë në këtë mënyrë marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, duke rikujtuar ndasitë mes forcave politike dhe në ngjarje kaq të mëdha.

Top Channel