“Statusi” ndan edhe më tej politikën

28/06/2014 00:00

Statusi i vendit kandidat, në vend që të ishte në një motiv bashkimi për klasën politike, është kthyer në motiv ndarje. Kryeministri Edi Rama, siç kishte paralajmëruar ditën e vendimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, po merr pjesë në pritjen e organizuar prej tij në ambientet e Pallatit të Brigadave, për të cilën shpresonte të ishte gjithëpërfshirese pasi ftesat i ishin dërguar presidentit te Republikës, të gjithë deputetëve dhe ish-kryeministrave të 23 viteve të post-diktaturës.

Por opozita ka bërë një zgjedhje tjetër. Koncertin festiv për statusin te Amfiteatri i Liqenit, organizuar nga Bashkia e Tiranës, që drejtohet pikërisht nga kreu i demokratëve Lulzim Basha.

Ndonëse Kryeministri Rama kishte theksuar se marrja e statusit të vendit kandidat nuk do të shoqërohej nga festa apo koncerte, por me nje ceremoni të thjeshtë gjithpërfshirëse, koncerti që dukej i improvizuar në të njëjtën ditë dhe orë i Bashkisë së Tiranës duket se po mban sërish të ndarë politikën shqiptare.

Reagon Bashkia: Festa për qytetarët, jo politikanët

Në një reagimë të shpërndarë pasditen e së shtunës, Bashkia e Tiranës e konsideroi lajmin e dhënë në Top Channel të pasaktë dhe dezinformues dhe sqaroi se njoftimi për koncert nuk ishte bërë ditën e premte, por më herët.

Në njoftimin e saj, bashkia shprehej se, “njoftimi për aktivitetin e organizuar nga Bashkia e Tiranës është lajmëruar një ditë pas statusit në të gjitha mediat e vendit, pra ditën e mërkurë”.

“Bashkia e Tiranës ka organizuar këtë aktivitet për qytetarët e Tiranës dhe jo për politikanët dhe fton qytetarët t’i bashkohen kësaj feste”, thuhej në njoftim.

Top Channel