
Rikthimi i Sali Berishës në dhënien e dy konferencave për shtyp jo nga zyra e tij por në selinë e PD ka hapur një debat delikat brenda dhe jashtë kësaj partie.
Analisti Arjan Vasjari mendon se ky rikthim i Berishës ngre insinuata sepse kompleton një kuadër që shumë njerëz kanë dyshime. Ky nuk është një shqetësim që lind tani, deklaron Vasqari, por ringre pikëpyetje se cili është kryetari real i PD-së aktualisht.
“Fakti që zoti Berisha rikthehet në këtë moment pikërisht kur kanë filluar të strukturohen degët lokale të PD-së dhe kur zoti Basha na nisur të formojë profilin e tij si një kryetar ndryshe, nuk po them më i mirë se Berisha, së paku si një kryetar ndryshe i saj, mua nuk më lë një shije të mirë. Nuk është vetëm kjo, është edhe profili që më në fund zoti Berisha nuk po pranon ta ketë si profil senatorial në jetën publike dhe atë të PD-së. Pikëpyetja është këtu: a do të pranojë zoti Basha të vijojë të jetë kryetari në hije i PD, apo të shndërrohet në kryetarin real të saj? Kjo në fakt është peytja vetë. Unë besoj se gjërat, fabula e PD-së do të ecë në këta dy vektorë: Lulzim Basha-Sali Berisha dhe unë them se herët a vonë do të kemi një përplasje në PD, sepse është e pamundur bashkjetësa dhe ecja politike në dy binarë”, thotë Vasjari.
Por një nga bashkëpunëtorët e dikurshëm të ish-kryetarit të PD, ish-deputeti Besnik Mustafaj thotë se nuk ka asnjë të keqe që Berisha të përdorë selinë e PD-së për konferenca shtypi, por shqetësimi që ai ngre lidhet me protogonizmin e ish-kryeministrit që shfaqet kudo.
“Një dualitet ekziston që në momentin kur Basha është zgjedhur kryetar i PD-së. Pra, ekziston një dualitet jo në marrje komptencash siç përpiqen ta interpretojnë shpesh herë analistët e opinionit publik, por ky lloj rivaliteti, nëse mund të quhet i tillë, ekziston në raport me autoritetin moral brenda PD-së”, thotë Mustafaj.
Arjan Vasjari mendon se Berisha duhet ta rishikojë pozicionin e tij në PD nëse ai me të vërtetë dëshiron që Basha të jetë krytari real i opozitës.
“Zoti Berisha duhet të ridimensionojë në mënyrë radikale pozicionin e tij, pasi këtu shtrohet tashmë çështja e identitetit, pasi PD nuk mund të vijojë përjetësisht të homologohet me karakterin, verbin dhe konceptin politik të zotit Berisha”, thotë ai.
Ndërsa Besnik Mustafaj i druhet përfshirjes së Berishës në procesin zgjedhor që ka nisur në degët e PD-së në rrethe.
“Berisha ka deklaruar se nuk kthehet më kurrë në postin e kryetarit të PD-së. Pra, në këtë kuptim gjithkush mund të jetë rival i Bashës për kryesimin e PD, përveç Berishës. Në procesin zgjedhor ndërhyrjet e Berishës duhen parë në mbështetjet pas kuintave që mund ai t’i bëjë njërit apo tjetrit kandidat për të ushtruar një pushtet okult brënda PD-së. Ky pushtet është i dëmshëm pasi nuk e lejon PD-në të shkëputet nga e kaluara e saj e afërme dhe në këtë pikë unë e shoh të keqen më të madhe”, vlerëson Mustafaj.
Top Channel