Nga Fatos Baxhaku: Sa herë që ndodh ndonjë gjë e rëndë, ndonjë vrasje e bujshme, ndonjë ndeshje e humbur, ndonjë marrëveshje e paarrirë, ndonjë aksident spektakolar, shumë vetëve prej nesh, shqiptarëve u vjen në shpirt të këlthasin: “Ah, si nuk na doli një burrë për të rregulluar këto punë!”. Shumë prej nesh këtë vetëm sa e mendojnë, por janë të shumtë ata që e bërtasin me zë të fortë gryke, këtë dëshirë që nuk e kuptojnë edhe aq mirë as vetë. Ka prej nesh që deri disa vjet më parë thoshin si nëpër dhëmbë: Ah, ku je more Enver, more të keqen! Por meqë Enveri ka dalë disi nga moda, atëherë kanë gjetur një zgjidhje tjetër, alternative, bashkëkohore dhe sigurisht të lidhur me SHBA, vendin që e paskemi dashur jetë e mot, madje edhe atëherë kur e shanim paq. Përfaqësuesit e kësaj linje nostalgjiko-fshataro-pseudomajtiste bëjnë histori me “sikur”. Sipas tyre, sikur të ishte gjallë Mehmet Shehu, në kohët kur mendonim se po kalonim nga diktatura në demokraci, gjërat do të ishin shumë herë më të kollajta, sepse “ay” ishte vërtet një komunist, por me mendje dhe zemër nga Perëndimi. Ishte apo nuk ishte një njeri i lidhur me SHBA!
Këto radhë i shkruam sa për të kuptuar se cilat janë dhe deri ku shkojnë lidhjet e një pjese të mirë të masave tona popullore me liderët që drejtojnë deri më tash, për asnjë arsye tjetër. Pra ai që bën më shumë zhurmë e potere, ani pse fut njerëz në burg, ani pse e fut vendin në luftë vëllavrasëse, ani pse ka ndër mend jo një demokraci por vetëm një antienverizëm të llojit personal, ai që shpif deri nën fustanin e grave, ai që nuk dorëzohet edhe në fijen e fundit të zërit të ngjirur, ky po ky është një burrë i vërtetë. Nuk ka aspak rëndësi se çfarë të mirash a të këqijash i ka sjellë vendit. Poterja dhe jo rezultati i punës së tij kanë rëndësi në këtë jetë. Këto radhë mund të duken si fare naive, porse kjo mënyrë të menduari është prezente fare afër nesh në çdo minutë të ditës dhe në çdo hap që hedhim.
Një nga problemet e shumta tonat në lidhje me demokracinë e keqkuptuar është se ne – kur themi ne, shumica jonë – ende nuk e dimë se çfarë liderësh duam. Më e bukura nga të gjitha është se për gjendjen e sotme të Shqipërisë, pra edhe për ata që qeverisin sot, më të parët që ankohen janë përtacët, dallkaukët, kodoshët, mashtruesit e vegjël, njerëzit antipunë me një fjalë. Të gjithë këta e kanë në majë të buzës fjalinë e famshme tashmë: “Ah, nuk bëhet ky vend jo more, jo. Sikur të kishim ca burra të fortë!”. Këta duke thënë togfjalëshin “burra të fortë” kanë parasysh pikërisht të kundërtën, kanë parash liderë që zihen e shajnë ndër salla parlamentesh apo tani edhe ndër rrjete internet, po që u lejojnë atyre, njësoj sikurse u lejuan trafikantëve të hashashit, një jetë të begatë me vetëm pak mund e lodhje. “Burri i fortë” për këta është ai që të shemb në hu për lirinë e fjalës dhe që lejon nga ana tjetër një Shqipëri e cila, për nga marrëzitë, do t’ia kalonte edhe asaj të Esad Pashë Toptanit.
Meqë jemi në këtë pikë, ka ardhur koha vërtet të pyesim veten, çfarë liderësh duam, çfarë elite na duhet që të na hapë sytë e të na drejtojë drejt sfidave të reja europiane, tani që vetë kërkuam me zell të madh e si pa e kuptuar statusin e vendit kandidat? Jetë e mot, jo vetëm te ne, kanë qenë njerëzit e zhurmshëm, ata që ngrinin masat, ata që urrejtjen e shisnin si dashuri, ata që mëninë ndër cepat e syve nuk e hoqën deri sa dhanë shpirt, njerëzit që janë vlerësuar më tepër. Mund ta bëni këtë eksperiment kudo që të jeni në çdo skaj të Europës, për shembull do të gjeni plot monumente të bronzta të Fredrik Barbarosës, por do të gjeni vetëm pak të Erazmit të Roterdamit. I pari e bëri Europën me shpatë në dorë, i dyti e bëri me libra. Ose, për të ardhur te ne, Çeçua i Topullarëve, madje edhe Bulja me Persefonin, janë ku e ku më të njohur se sa Kadare e Çabej të marrë së bashku, ndonëse janë të fiksuar në bronz vetëm pak metra larg njëri–tjetrit në Gjirokastër.
Nganjëherë ajo klithma – Po si nuk doli një burrë more xhanëm! – që herë thuhet natyrshëm, e herë të tjera si justifikim i vetes, fsheh në vetvete edhe një dëshirë subkoshiente. Kjo është dëshira për të pasur maturi, edukatë, respekt për njeriun që mendon ndryshe, mendim para aksionit. Këta njerëz i kemi pasur edhe ndër mote. Zakonisht quheshin “të moçmit”, ndonëse qëndrimi shoqëror i tyre nuk lidhej vetëm me moshën. Këta, sot le t’i quajmë idealistë, e lidhnin qenien e tyre jo vetëm me xhepin e tyre. Për ta kishte pak rëndësi nëse ishin të pasur apo të varfër. Më i rëndësishëm për ta ishte nderi që linin pas. Këta nuk urrenin njeri, dhe as që kishin armiq, nuk u përkisnin ideologjive dhe as feve. Për ta mendja e lirë ishte pasuria më e madhe. Askush prej tyre nuk u bë i njohur. Këtë ata as që e dëshironin, përkundrazi. Ishin njerëz me këmbë në tokë dhe zakonisht të heshtur. Ndonëse nuk urrenin njeri e kishin një armik. Ky ishte fanatizmi. Jo ai fetar, sepse me të, ata as që merrnin mundimin të merreshin, por mendimi fanatik i militantëve kokëshkretë, i atyre që këmbëngulnin, dhe këmbëngulin akoma, ta ndajnë botën në dy pjesë, në “me ne” dhe “me ata”, njësoj sikur Shqipëria të jetë një tokë e destinuar vetëm për gjysmën e popullsisë së saj. Idealistët tanë të vjetër e të rinj, nuk ndihen, ata mendojnë se zanati, puna, shoqëria e mbarë e bëjnë një vend të begatë dhe jo zënkat politike shumë herë të shtirura. Mirëpo, çfarë ndodh. Jo vetëm te ne, por kudo në botë, populli, kjo gjëja që e duam të gjithë shumë fort, është më shumë i prirur nga ata që bërtasin, nga ata që bëjnë zullume, njësoj si në një ndeshje futbolli. Më shumë zhurmë në Botërorin e sivjetmë bëri një futbollist uruguaian që kafshonte se sa ata që shënuan gola të bukur. Populli shumë herë nuk ka nge të presë e të këndojë me avash qëndrimet intelektuale të njerëzve të butë. Ai është i prirur nga ndryshimet e shpejta, nga fitimi i lehtë, i prekshëm, i dukshëm dhe jo nga e ardhmja e sigurt e nipërve dhe mbesave. Mëria që lexon në sytë e idhnakëve është nganjëherë një shenjë fitoreje, ngadhënjimi, kapërcimi të komplekseve të veta. Kështu ndodh që Çeçot dhe jo Çabejtë të jenë më në modë.
Tash, që me fitimin e statusit i kemi edhe ne disa detyra si popull e jo vetëm qeveria apo qeveritë, ka ardhur koha që kur të jemi me gjak të ftohtë, mbase do Zoti freskon edhe ca koha gjatë këtyre muajve, të nisim e ta vrasim mendjen tashmë me qëndrimin prej gjysmëeuropianësh: Çfarë soj liderësh na duhen? Pyetje e vështirë për një popull ku janë të gjithë liderë e analistë, megjithatë mbase në këso kohësh na shërben një thënie e Stefan Cvajgut kur shkruante “Triumfin dhe tragjizmin e Erazmit të Roterdamit”. Në kohë të triumfit të fanatizmit politik ai është shprehur: “… Njeriu me përvojë e di mirë se vjen një kohë kur të gjitha pasionet shterojnë nga lodhja. Fanatikun, herët a vonë, e pret vetasgjësimi. Arsyeja, e përjetshme dhe përjetësisht e durueshme, mund të presë dhe të qëndrojë. Ndonjëherë, kur të tjerët bëjnë si të tërbuar, arsyes i takon të heshtë. Por vjen koha e saj, dhe ajo gjithmonë do të kthehet”. Fjalë me vend nga një njeri me mend. A mos vallë po vjen koha t’ia vëmë veshin ca më shumë? Do vemi apo s’do vemi në Europë xhanëm?
Top Channel