Reforma, sinjal afrimi nga opozita

27/06/2014 00:00

Mazhoranca dhe opozita bëjnë hapin e parë të afrimit, në përpjekje për të gjetur konsensusin për reformën territoriale. Për herë të parë përfaqësuesit e të dyja palëve u shfaqën bashkë në aktivitetin e shoqatave vendore.

Por jo vetëm kaq. Bashkim Fino dhe Lulzim Basha, që shprehën qëndrimet e forcave të tyre politike, hodhën ofertat e reja në drejtim të kundërshtarit politik, akt që nga kryetari i opozitës u cilësua një atmosferë potencialisht bashkëpunuese.

Por ofertat e palëve, që u lexuan edhe nga moderatorët e aktivitetit si elastikë, në fakt ndryshonin nga njëra-tjetra në thelb. Kreu i komisionit të reformës territoriale, Fino, u deklarua i hapur për numrin e njësive vendore që do të krijohen.

“Për reformën territoriale është i nevojshëm bashkëpunimi i opozitës. Duhet të ndjekim shembullin e shumë vendeve të tjera që e kanë kryer këtë reformë dhe të balancojmë shpenzimet në bashki dhe komuna”, tha Fino.

Ndërsa kreu i opozitës nuk i dha rëndësi dizajnimit të mundshëm të hartës territoriale, por një tjetër procesi, decentralizimit të pushtetit vendor, që sipas tij duhet t’i paraprijë ndarjes territoriale.

“Decentralizimi është çelësi i suksesit ose dështmi i reformës. Vetëm me konsensus mund t’i shërbejmë qytetarit. Keni gjetur variantet për reformën, por jo planin e ndarjes”, tha Basha.

Megjithëse në fjalimet e tyre dominoi fjala “konsensus”, më shumë sesa tek përmbajtja e reformës territoriale, ajo që i mban larg palët është koha e kryerjes së saj.

Për mazhorancën, reforma duhet dhe do të përmbyllet brenda korrikut, ndërsa për opozitën nuk ka përse të nxitohet, kur përmes metaforës u cilësua prej kryetarit të saj Basha si “procesi me këmbën në gaz” të mazhorancës.

Top Channel