“Publiku nuk ka besim te gjyqësori”

27/06/2014 00:00

Shqipëria duhet të rrisë parandalimin e korrupsionit, përsa i përket anëtarëve të Parlamentit, gjyqtarëve dhe prokurorëve, sipas raportit të fundit mbi Shqipërinë nga GRECO, Grupi i shteteve të Këshillit të Europës kundër korrupsionit.

Ndërsa vlerëson praninë e rregulloreve të detajuara kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave, raporti i 4-t tregon se kuadri ligjor ekzistues është shumë kompleks dhe se qëndrueshmëria e tij minohet nga amendimet e shumta të vazhdueshme, që shpesh janë subjekt interpretimi kontradiktor. Përveç kësaj, rregullat kryesisht përqendrohen në ndalimet dhe kufizimet, në dëm të zbulimit dhe transparencës publike, i cili kufizon efektin e tyre.

Gjyqësori shqiptar, në veçanti, ka vuajtur nga niveli i ulët i besimit publik dhe pozita e tij, në raport me degët e tjera të pushtetit, mbetet i dobët. Gjyqësori nuk ka kontroll mbi zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe, e drejta për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve të Rrethit dhe të Apelit i takon ekskluzivisht ministrit të Drejtësisë. Për më tepër, Konferenca Kombëtare Gjyqësore, organi kryesor vetëqeverisës i gjyqësorit, nuk ishte prej vitesh plotësisht vepruese dhe kjo ka pasur një ndikim negativ në përzgjedhje, avancim karriere, trajnime dhe procedurën disiplinore kundër gjyqtarëve.

Përsa i përket anëtarëve të Parlamentit, GRECO vëren një dobësi te deputetët, për ndikim të mundshëm të padrejtë. Rëndësia për të pasur standarde të qarta të sjelljes profesionale nuk është konsideruar si një prioritet, dhe nuk ekziston një sistem njoftimi rast pas rasti, mbi konfliktin e interesit. Më e rëndësishme, veçon raporti, është se, pavarësisht ndryshimeve të lavdëruara në Kushtetutë, për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe gjyqtarëve, zbatimi i tyre është penguar nga mungesa e ndryshimeve përkatëse në Kodin Penal.

Në bazë të gjetjeve në raport, GRECO bën 10 rekomandime ndaj Shqipërisë dhe pret që, më 30 Shtator 2015, Tirana të dorëzojë raportin e parë mbi masat e marra për zbatimin e këtyre rekomandimeve, i cili vlerësohet më pas gjatë gjysmës së parë të 2016-s nga ky organ i KiE.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel