
Statusi i vendit kandidat rrezikon të kthehet në një motiv ndarjeje dhe jo bashkimi siç deklaruan të gjithë komponentët e politikës ditën e marrjes së tij.
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ditën e vendimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm organizimin e një ceremonie modeste, ceremoni që pak ditë më pas u vendos të realizohej për të shtunën në mbrëmje në kopshtet e Pallatit të Brigadave.
Në ceremoni, e cila u konsiderua gjithëpërfshirëse, ishin ftuar të merrnin pjesë Presidenti i Republikës dhe të gjithë deputetët. Vetë kryeministri Rama ka këmbëngulur që në ceremoni të ftoheshin edhe të gjithë ish-kryeministrat e 23 viteve të fundit, që nga Aleksandër Meksi tek Fatos Nano e Sali Berisha si edhe ish-ministrat e Integrimit që kanë dhënë kontribut në këtë proces gjatë gjithë viteve që kanë ushtruar detyrën, kryetarët e komisioneve parlamentare, drejtues të shoqërisë civile, përfaqësues të medias, botës së artit, kulturës dhe asaj akademike.
Por, mësohet se në këtë ceremoni që ishte menduar gjithëpërfshirëse do të mungojnë deputetët e Partisë Demokratike. Bashkia e Tiranës ka lajmëruar vetëm të premten pasdite, ndërsa ftesat e Kryeministrisë ishin shpërndare, se të shtunën do të organizojë një koncert festiv për statusin te amfiteatri i liqenit në orën 19:30, pikërisht në orarin e ceremonisë në Pallatin e Brigadave.
Ndonëse kryeministri Edi Rama e theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat nuk do të shoqërohej nga festa apo koncerte, por me një ceremoni të thjeshtë gjithëpërfshirëse, koncerti që duket i improvizuar në të njëjtën ditë dhe orë i Bashkisë së Tiranës duket se do ta mbajë sërish të ndarë politikën shqiptare.
Është interesant për t’u parë se në cilën ceremoni apo festë do të marrë pjesë Presidenti Bujar Nishani, pasi sipas burimeve të organizatorëve të ceremonialit në Pallatin e Brigadave, kreu i shtetit ende nuk e ka konfirmuar prezencën e tij.
Por, ajo që bie në sy është se edhe Presidenti ka vendosur të organizojë një pritje të vetën për statusin. Nëpër institucione kanë nisur të mbërrijnë ftesat për një ceremoni festive për marrjen e statusit nga Presidenti i Republikës ditën e hënë në orën 19:30, në një kohë që po të hënën kryeministri Edi Rama ka organizuar një tjetër pritje, këtë radhë në Galerinë e Arteve, pasdite, për nder të vizitës së Presidentit të Komisionit Europian, Zhoze Manuel Barrozo.
Top Channel