Zvicër, media i thur elozhe Shaqirit

26/06/2014 00:00

Shqiptari Xherdan Shaqiri ka marrë nota maksimale nga analistët e futbollit dhe gazetat zvicerane, pas fitores së kombëtares, të drejtuar nga Ottmar Hitzfeld, ndaj Hondurasit.

Futbollisti i Bajernit është në të gjitha faqet e para të gazetave vendase, të cilat duken se kanë qenë në garë, se cila prej tyre do të vendosë dhe titullin më të bukur.

Sipas tyre, shqiptari ka shpërblyer besimin e tifozëve zviceran, të cilët i kanë varur shpresat e tyre në këtë Botëror pikërisht te 22-vjeçari, i cili ka lindur në Gjilan të Kosovës.

E përditshmja “L’Express” ka publikuar në faqe të parë një foto të Shaqirit gjatë festimit të golit, ndërkohë që, edhe pse është shtatshkurtër, titulli i saj është: Gjiganti Shaqiri!

Në një editorial kushtuar shqiptarit, analisti sportiv Emmanuel Saraceno ka shkruar se 22-vjeçari ka stof kampioni, por për ta vërtetuar këtë duhet të mposhtë Argjentinën dhe Lionel Messi-n, kundërshtarët e ardhshëm të Zvicrës në Brazil 2014.

Ndërkohë, gazeta “Blik”, e cila publikohet në gjuhën gjermane, ka shkruar se Hitzfeld duhet të mendojë që tani për Argjentinën. Sipas komenteve në këtë gazetë, lojtarët e Argjentinës janë nën presion të madh për këtë sfidë dhe kjo gjë duhet shfrytëzuar nga zviceranët. Analistët e “Blik” e pranojnë faktin, që Lionel Messi është një nga lojtarët më të mirë në botë, por sipas tyre edhe Zvicra e ka “Messi”-n e saj dhe ai është Xherdan Shaqiri.

Top Channel