Tranzicioni nga drapri me çekan te drapri me çekiç

26/06/2014 00:00

Andrea Stefani – Kanë kaluar më shumë se dy dekada nga rënia e sistemit komunist që simbolizohej nga drapri dhe çekani, por Shqipëria nuk ka arritur ta ndërtojë shtetin e së drejtës.

Vendin e draprit dhe çekanit bolshevik, që nënkuptonte aleancën e klasës punëtore me fshatarësinë kooperativiste si themel i diktaturës së proletariatit, e zuri një tjetër aleancë, ajo midis draprit të mafiapolitikës dhe çekiçit të drunjtë të gjyqtarëve të korruptuar. Kjo aleancë është bërë sot themeli i antishtetit, shkaku kryesor i rrënimit të aspiratës së shtetit ligjor. Ndaj tani që Shqipëria mori statusin e kandidatit, detyra më urgjente është shkatërrimi i diktatit të draprit dhe çekiçit. Gjë mjaft e vështirë, por pa realizimin e së cilës, nuk mund të ketë shtet ligjor të së drejtës, pra as edhe europianizim dhe anëtarësim të Shqipërisë në BE.
 
***
 
Diktatura e proletariatit nuk ka nevojë për drejtësi të pavarur nga partia dhe lideri në pushtet. Atje “drejtësia” është një konfirmim, një garniturë juridike e “pagabueshmërisë” dhe “drejtësisë absolute” të partisë dhe liderit të saj. Asnjë gjykatës nuk mund të dilte kundër liderit, të vinte në dyshim drejtësinë e tij apo të partisë, sepse do përballej me zemërimin e aleancës së draprit dhe çekanit, me unitetin e punëtorëve dhe fshatarëve përreth liderit. Do të përballej me diktaturën e proletariatit i akuzuar si armik i saj dhe i “popullit”. Politika, lideri, partia sundonin mbi drejtësinë dhe shtetin.
 
***
 
Shteti ligjor kërkon krejt të kundërtën. Ai kërkon që drejtësia të sundojë mbi partitë dhe politikën. Ai kërkon që gjykatësi jo të konformohet por të jetë krejtësisht i pavarur nga pushtetet politike, të jetë i lirë dhe i aftë t’u kundërvihet me sukses pushteteve politike, liderëve kur ata abuzojnë me pushtetin, kur dhunojnë liritë dhe të drejtat e njerëzve. Në këtë kuptim, drejtësia dhe gjykatësit bëjnë të mundur realizimin praktik të lirisë. Sepse drejtësia është një emër i dytë për lirinë (Burke). Drejtësinë dhe lirinë nuk i ndan dot. Aty ku mungon drejtësia, nuk ka liri. Prandaj kemi thënë e themi vazhdimisht se në Shqipëri nuk do të ketë liri sa kohë nuk do të ketë drejtësi. Drejtësia bën të mundur që të kufizohet aftësia e qeverive për të ndërhyrë abuzivisht, qoftë edhe ligjërisht, në jetën private të qytetarëve të saj duke shkallmuar interesat e tyre.
 
***
 
Shumë shqiptarë nuk kanë arritur ta kuptojnë edhe sot e kësaj dite këtë lidhje siamezike mes drejtësisë dhe lirisë. Si në kohën e draprit dhe çekanit, ata kanë tentuar, më së shumti, t’i mbrojnë interesat dhe të drejtat e tyre, duke duartrokitur njërën apo tjetrën parti, njërin apo tjetrin lider. Por shteti ligjor është një gjendje ku njeriu mund të mbrojë të drejtat e veta pa qenë i detyruar të investohet servilisht për njërën apo tjetrën parti, për njërin apo tjetrin lider. Në shtetin ligjor, ajo që e mbron qytetarin nuk është partia, por mbi të gjitha, drejtësia. Të drejtat e fituara mbi mbështetjen politike si shpërblim për shërbimin politik, janë jo vetëm të përkohshme (marrin fund sapo partia humb pushtetin) por edhe bazohen mbi padrejtësinë ndaj të mundurit. Këto dekada tranzicion janë të mbushura me dhunimin e të drejtave të punës apo pronës nga pushtetet e radhës. Janë të mbushura edhe me privilegje, pra edhe me padrejtësi. Sepse çdo privilegj është edhe një padrejtësi.
 
***
 
Janë dhunime, padrejtësira, privilegje madje edhe krime të mbrojtura dhe ekspozuara si “drejtësi”, edhe në sajë të aleancës së gjykatësve të korruptuar me mafiepolitikën. Drapri i kësaj të fundit korr jo vetëm kanabis, por edhe jetë njerëzish, korr edhe paratë publike duke mbushur thasë qeveritarësh. Dhe çekiçi i drunjtë ka falur e ka falur pafundësisht krimin e korrupsionin duke varë drejtësinë. Ka falur krimin, duke e nxitur të bëjë të tjera krime, ka falur korrupsionin duke i nxitur të korruptuarit të korruptojnë e të korruptohen edhe më. Është si një reaksion zinxhir bërthamor që ka shfarosur drejtësinë duke e shndërruar premtimin dhe ëndrrën e shtetit ligjor në realitetin e kaosit ku sundon forca dhe jo arsyeja, harbutëria e jo qytetaria, e shtrembra dhe jo e drejta. Simbiozës së drejtësisë dhe lirisë ia ka zënë vendin ajo e padrejtësisë dhe nënshtrimit.
 
***
 
Marrja e statusit nuk është momenti i triumfit. Europa është më afër por ende larg. Statusi është kushtrimi, thirrja që na bën Europa për përballjen jo vetëm të pashmangshme, por edhe imediate me krimin, korrupsionin dhe padrejtësinë. Europa na e dha statusin, por ndërkaq po dëgjojmë se të gjithë zërat e saj kërkojnë rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Do të jetë një përballje e vështirë, sepse klasa politike nuk është e bashkuar në të njëjtën ide. Aksioni në Lazarat kundër kartelit të drogës e provoi këtë. Jo e gjithë klasa politike u rreshtua në mbështetje të Policisë së Shtetit. Madje një pjesë u përpoq ta sabotojë aksionin e policisë, duke e shpallur të dështuar, duke akuzuar se po shkeleshin të drejtat dhe liritë e banorëve. Edhe reformën për pastrimin e gjyqësorit nga të korruptuarit, ajo pritet ta paraqesë si sulm ndaj “gjyqësorit të pavarur”. Është ironike të qahesh për sulme mbi drejtësinë e pavarur në një shtet ku të gjithë e dinë se ekziston vetëm një pushtet “drejtësie” i varur nga mafiapolitika. Kjo është gjuha e mafiepolitikës që nën maskën e “mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit” kërkon të mbrojë statusin e vartësisë së gjyqësorit prej saj. Ndaj nuk duhet të këtë asnjë iluzion: Edhe pse e mori statusin Shqipëria nuk do ta fitojë kurrë Europën, nëse nuk fiton luftën kundër aleancës së draprit dhe çekiçit!

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA