“Statusi, vendim strategjik për rajonin”

26/06/2014 00:00

Shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, në të parin komunikim nga dikasteri që drejton për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, e ka zgjeruar leximin e impaktit që ka vendimi i Brukselit.

“Vendimi për statusin e Shqipërisë është një vendim jo vetëm i merituar për Shqipërinë, por është edhe një vendim strategjik për rajonin, për balancat etnike në rajon”, ka deklaruar Bushati.

Një Shqipëri më afër BE-së për Bushatin është një Shqipëri më e fortë në rajon dhe më kohezive për faktorin shqiptar në të.

Nga faktor stabiliteti, Shqipëria duhet të bëhet model frymëzues i zhvillimit për rajonin, tha ai, në krah të zv/kryeministrit shqiptar në qeverinë e Shkupit, Fatmir Besimi, që gjithashtu e lexoi si mesazh për të gjithë rajonin vendimin e BE-së për Shqipërinë.

“Statusi është një mesazh se zgjerimi evropian vazhdon dhe tani pas zgjedhjeve do të vazhdojmë me axhendën evropiane, pasi euroskepticizmi mbaroi”, deklaroi Besimi.

Por pas statusit, sfida e Shqipërisë mbetet hapja e negociatave. Ministri i Jashtëm pohoi se faza tjetër e afrimit të Shqipërisë me BE-në do të varet sa nga ecuria e reformave në vend, po aq sa nga ajo që cilësohet si oreksi i vendeve anëtare.

“Por nëse i provojmë vetes se jemi të zotët të bëjmë reforma, oreksi i vendeve anëtare nuk do të mungojë. Ajo që duhet të shmangim janë bllokimet politike këtu brenda nesh. Është provuar se nuk ka përfitime elektorale që vijnë nga procesi integrues, ndaj bashkëpunimi qeveri-opozitë mbetet thelbësor në këtë proces”, u shpreh Bushati.

Top Channel