Fatos Baxhaku – Më në fund “statusi”, enigmatiku, zgjidhja, shpëtimi, çelësi erdhi.
Si çdo gjë, shqiptarët e pritën sipas mënyrave të ndryshme lajmin që mbërriti me bujë nga Brukseli. Kryeministri Rama, protagonist si në kohë të bllokimit të tij, ashtu edhe në atë të zhbllokimit, tha pak a shumë, se nuk ka ndërmend të mburret, sepse njerëzit e drejtuar prej tij nuk kanë bërë gjë tjetër veçse detyrën në hedhjen e këtij hapi shumë të madh. Ish-kryeministri Berisha, sigurisht që e përdori këtë ditë për të hedhur akuza kundër kundërshtarit të tij tashmë personal. Politikanë të tjerë u shfaqën në emfazë njësoj sikur t’i kishin ftuar në një festë familjare. Të tjerë akoma deklaruan se “është një ngjarje e madhe, por kjo na vë para detyrimesh të tjera…”. Çfarë ka ndodhur të martën vërtet, sa dhe si ka lidhje kjo me qytetarin e thjeshtë shqiptar. Apo, këto punë janë vetëm të asaj minibote që i përket vetëm politikës dhe kaq?
Të mërkurën në mëngjes, shumë gazeta u rrekën të shpjegojnë se çfarë përfitojmë e çfarë na duhet të bëjmë tani që kemi hedhur edhe një hap më tepër drejt Europës zyrtare. Mirëpo gazetat janë gazeta dhe letrat shpesh kanë përfundim të trishtë. Këtu e shumë vjet më parë, perëndimi i BE-së kishte shumë dyshime për anëtarësimin e vendeve të ish-bllokut të Lindjes. Mirëpo çelësi i suksesit të këtyre vendeve ishte kryeultësia e tyre dinjitoze. Askush prej tyre nuk e mori hapin e asokohe si një qokë, si festë apo si dasmë, aq më pak si meritë e filan apo fistek personazhi politik. Që në fillim, çekët, polakët, hungarezët, e kishin fare të qartë se koha e re që po vinte, nuk ishte aspak një liri e shfrenuar, një rrumpallë si kundërshti e komunizmit, një kohë kur mund të jetosh në kurriz të tjetrit. Përkundrazi, ata e dinin dhe ishin fare të vetëdijshëm se koha që do të jetonin ishte epokë sakrificash, pune, kursimi, durimi. E dinin fort mirë se kishte ikur periudha e fjalëve boshe propagandistike dhe se më në fund kishte ndodhur mbretëria e punës. Vetëm kështu, vetëm duke qenë të vetëdijshëm për ndryshimet që duhet të bënte në krye secili prej tyre, këta popuj arritën ta kalonin hendekun që ndante deri para 20 e ca vjetësh dy anët e horizontit në kontinent.
Tani, nëse kolegët tanë gazetarë të televizioneve do të pyesin në rrugë qytetarë të ndryshëm sesi e konceptojnë marrjen e statusit dhe se çfarë presin të vijë më pas, me siguri do të marrin përgjigje nga më interesantet. Më e përhapura nga të gjitha është se “tani do na vijnë lekë”, njësoj sikur deri më tani t’i ishim lutur Ali Babait që të e hapte paksa grykën e thesit me florinj. Të tjerë do të thonë se do të kemi rregull e qetësi se tani Europa na vëzhgon edhe më me vëmendje. Të tjerë akoma tashmë e kanë në mendje përgjigjen e gatshme, se tani që u afruam edhe më, do të vijnë që andej “gjëra të ndryshme për demokracinë dhe kështu që këta tanët nuk kanë se përse të grinden më”. Me këtë “gjëra të ndryshme” kuptohen me sa duket projektet dhe madje edhe njerëzit që do të vijnë që andej. Nuk është edhe aq keq si përgjigje. Sikurse e dimë, fantazia popullore s’ka kufij, kështu që reporterët televizivë nuk është çudi që të dëgjojnë edhe përgjigje të tipit: Po ja, do të na marrin atje që të rrimë ca kohë e të mësojmë qysh punon dynjaja! Ose, “po ja hymë e do dalim. E ke parasysh qysh vinim e shkonim nga Lushnja në Fier, ashtu do vemë tani me Europën. Na duan shumë andej, na e kanë borxh që nga koha e Skënderbeut!”.
Nëse kanë fat e kohë kolegët tanë televizivë mbase takojnë edhe ndonjë qytetar që t’u përmendë se këto kohë që po vijnë nuk janë kohë qokash e ngazëllimesh, por janë kohët e shtrëngimit të rripit. Ky mbase mund t’i thotë edhe se koha e punës në të zezë, e qëndrimit jo me orë, por me ditë të tëra ndër kafene, i ka ditët e numëruara, se nuk do të ketë më marrje në punë nisur nga militantizmi, nga përkatësia fshatare apo e lagjes, se “epoka e zarfit nën dorë” nuk ka lidhje me Europën, se fitimi pa punuar nuk ka sesi të shkojë me themelet mbi të cilat është ndërtuar Europa, se dallkaukët, servilët, spiunët, puthadorët, hajdutët, “kopilët” e mijëvjeçarit të tretë, jo vetëm nuk duhet t’i konsiderojmë të suksesshëm, por duhet t’i lëmë larg, jashtë oborrit të përbashkët europian. Europa gjithashtu është ndërtuar mbi solidaritetin, mbi respektin e atij që është ndryshe, por mbi të gjitha të atij që është në nevojë. Nëse vazhdojmë të bëjmë një vend të bukur nga jashtë, por që i përket vetëm një grushti oligarkësh, atëherë harrojeni ëndrrën tonë europiane. Edhe vetë Skënderbeu nuk na ndihmon dot në këtë pikë.
Mbase të tilla gjëra është vetë qeveria ajo që duhet t’ua thotë qytetarëve të saj, por mbase ajo do të jetë fort e zënë me reformat e vërteta që fillojnë pas sodit. Ajo gjëja më e parë që do të na bëjë të jemi edhe më europianë, jashtë letrave, ligjeve, dokumenteve, shtrëngime të duarve, ngazëllimeve është ndryshimi i vetes. Nëse vazhdojmë, si përpara, që ta shohim BE-në si një mësuese së cilës edhe ia del ta gënjesh, pra duke tundur kokën në mënyrë pohuese dhe duke mbushur formularë e duke bërë kodoshin, atëherë nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi gënjyer veten. Ndryshimin ndër kryet tanë duhet ta bëjmë në radhë të parë për të ardhmen, për fëmijët tanë, për vetë vendin, të cilit i kemi borxhe të rënda. Deri më tani, postdiktaturën e tejzgjatur, që ndonjë optimist e quan edhe demokraci, e kemi parë vetëm si kundërshti e diktaturës. Na u zverdh puna nën komunizëm? Atëherë si t’ia bëjmë që të pasurohemi pa punuar, boll na ra bretku ndër ara e kantiere? Nuk e hapnim dot gojën atëherë? Atëherë o burra të merremi me llafe, të shajmë sa mundemi, kemi apo s’kemi liri fjale! Nëse marrja e statusit do të na ndihë që të kalojmë nga postdiktatura në një demokraci të ndier, të vetëdijshme, kërkesë e jona e brendshme, jetike njësoj si ajri që thithim, vetëm atëherë do të mund të themi se e kemi mposhtur më në fund rrumpallën dhe, edhe vetë “zysh” Europa, s’do të ketë më se ç’të thotë. Vetëm atëherë larg, diku në horizont, do të fanitet mbretëria e punës. Për të mbërritur në këtë vend të bukur, të begatë, të paqtë, njësoj si ëndrra e vjetër e Sami Frashërit, do të na duhen ca kohë të mira me rripin e dhëmbët shtrënguar. Fitimi i statusit donte të thoshte vetëm kaq dhe asgjë më tepër.
Top Channel