Ngjarja e rëndë e vrasjes së biznesmenit dhe bankierit Artan Santo, në derën e bankës që ai drejtonte, është cilësuar nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani si tronditëse.

“Humbje e madhe për familjarët, bashkëpunëtorët dhe shoqërine shqiptare nga dora e zezë e krimit”, e cilëson kreu i shtetit, që kërkon nga policia dhe prokuroria të zbardhë ngjarjen dhe të çojë përpara drejtësisë autorët.

“Na vranë mizorisht një mik të mirë, çun Tironë nga ata të vërtetët, që donte jetën e donte njerëzit”, shkruan kryeministri Edi Rama për vrasjen e bankierit Santo, duke shtuar në këtë postim edhe shpërblimin e vendosur nga Policia e Shtetit prej 100 mijë euro kush ndihmon policinë në gjetjen e autorëve.

Kryeparlamenti Meta dhe deputetë të Kuvendit i kanë paraprirë fjalimët e tyre në seancën paralamentare të mbledhur vetëm pak pas ngjarjes së rëndë, me ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit. “I shprehim ngushëllimet familjes dhe bashkëpunëtorëve të tij. Santo ishte një personalitet i njohur i sistemit bankar, ndaj dhe autorët e këtij akti duhen ndëshkuar”, theksoi Meta.

“Ngushëlloj familjarët dhe ata që kanë punuar me të ndër vite, si një njeri fisnik, si një nga pionierët e kapitalizmit shqiptar që kemi sot. Ngushëllimet e mia”, deklaroi deputeti Ben Blushi.

Kreu i opozitës gjithashtu ka dënuar aktin e rëndë nga aktivi i PD-së në Tepelenë. “Pasiguri në nivelet më ekstreme. Sot ka ndodhur një ngjarje tronditëse. Në mes të Tiranës është ekzekutuar publikisht, me një stil mafioz, një pronar dhe drejtues banke. Përkeqësim evident në gjithë bazamentin dhe shtyllat e demokracisë”, deklaroi Basha.

Ndërsa më herët, vetëm pak orë pas vrasjes së biznesmenit, demokratët reaguan përmes deputetit Arben Ristani. “PD-ja shpreh tronditjen e thellë dhe është në krah të familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Të tronditur sot janë të gjithë qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë. Vrasja e sotme mafioze tregon sesa e lirë dhe e pambrojtur është jeta sot në Shqipëri”, theksoi Ristani.

Por pas këtyre deklaratave të opozitës, kryeministri Rama dënoi përdorimin politik të kësaj ngjarjeje të rëndë. “Të bësh politikë edhe me krimin e sotëm do të thotë të jesh një opozitë që ushqehesh jo nga aspiratat, as nga idetë, po nga krimet e pisllëku!”, deklaroi në një tjetër postim në profilin e tij kreu i qeverisë.

Top Channel