Të jetosh në Lazaratin pa hashash

25/06/2014 00:00

Asllan Gjini është një nga banorët e fshatit Lazarat. Ai thotë se ishte dakord që policia të hynte dhe të vendoste rregull, por rikontrolli sipas tij i banesave nga 4 apo 5 herë, po shkakton tension te të vegjlit.

“Kjo situatë në Lazarat nuk është krijuar sot apo këto 5 vjet. Nëse është futur një kriminel në Lazarat, apo një hajdut, edhe unë nuk e dua atë. Jam gati ta denoncoj në polici dhe të përgjigjem para ligjit për gjithçka nëse e marr unë në shtëpi”, tha Asllan Gjini, banor.

“90 përqind janë fajet e shtetit, i cili i di shumë mirë këto gjëra. Nëse ka shpërngulje nga njëra shtëpi te tjetra, vet shteti i ka hequr kriminelët. Shumica e fshatit e ka pritur me mirënjohje ndërhyrjen e policisë, ndërsa një pjesë e vogël, rreth 5%, ndoshta jo, por prapë këta nuk kanë qenë lazaratas. Kanë qenë njerëz të përndjekur nga policia dhe të strehuar në Lazarat. Ata që i kanë strehuar të mbajnë përgjegjësitë e tyre”, tha Bashkim Gjini, banor.

“Gjendemi në lagjen Gjokaj në Lazarat, ku policia po kryen bastisje instensive të shtëpive. Jeta duket se i është rikthyer normalitetit, megjithatë banorët vazhdojnë të hedhin në rrugë e të nxjerrin nga banesat e tyre sasitë e fundit të marijuanës. Vetëm pak metra më poshtë, policia ka njoftuar sekuestrimin e rreth 1 ton marijuane dhe arrestimin e 2 personave të tjerë, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 24, që prej fillimit të operacionit”.

Ndërhyrja e policisë pas kaq vitesh dhe situata aktuale e spastrimit nga çdo mjedis e tonelatave të tëra me marijuanë shkon paralelisht ritmit të çorganizuar të jetës ende në Lazarat. Agime Bejko, që menaxhon një kafene në qendër të fshatit, thotë se jeta duhet të vijojë normalisht.

“Mua më ka furnizuar policia me ujë, sepse na e kanë prerë atje poshtë dhe uji nuk vjen fare në fshat”, thotë Agime Bejko, banore.

Nëpër rrugët e fshatit sheh shumë pak njerëz dhe nëpër shtëpi gjendet jo më shumë se 30% e popullsisë. Shumica e meshkujve të rritur i janë trembur procedimeve penale si kultivues marijuane dhe janë strehuar gjetkë.

“Policia vazhdon kontrollet nëpër banesa, jemi në një prej lagjeve të sipërme. Njoftohemi se këtu, dikur çerdhja e fshatit e më pas një godinë e braktisur, është gjetur një sasi e madhe marijuane si dhe armësh, të cilat janë përtokë. Mësohet se në terren janë rreth 16 grupe kontrolli”.

Më shumë se 46 ton kanabis, policia ka gjetur të padëmtuara, që prej ditës së parë të ndërhyrjes. Qindra ton të tjerë janë djegur, para se të fillojnë kontrollet e banesave, ndërsa 24 persona janë arrestuar, por, sipas banorëve, ende janë të lirë personat përgjegjës.

Efektet ekonomike të industrisë së paligjshgme më të rëndësishme në jug të vendit u ndjenë menjëherë te bizneset në qytetet e Jugut.

Njësitë e shitjes, si supermarketet, karburantet, baret apo restorantet, raportojnë rënien me gati tri herë të xhiros ditore, parà që vinin më së shumti nga ekonomia e drogës, ndërsa një pjesë e madhe e punëtorëve të hashashit nuk mund të denoncojnë mospagesën e tyre për muaj me radhë, në plantacionet e paligjshme.

Top Channel