
Shqipëria ka edhe shumë punë përpara se të nisë negociatat e anëtarësimit më Bashkimin Europian. Nisja e tyre varet tërësisht nga reformat që do të ndërmerren në vend dhe një proces i tillë kërkon kohën e nevojshme.
Për të folur mbi hapat që do të ndjekë qeveria në vazhdim, pas marrjes së statusit, në studion e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel me gazetarin Ilir Paço ishte zv.Ministri i Integrimit, Majlind Lazimi.
“Ajo që dihet tani është që pas vendimit që u mor para dy ditësh, Shqipëria do të duhet të kalojë në hapin e radhës që është çelja e negociatat. Për qeverinë shqiptare duhen reformat. Mbeten prioritare ato që kemi udhërrefyes, lufta kundër korrupsionit, krimi i organizuar reforma në drejtësi dhe administratë”, tha Lazimi.
Zv.Ministri nuk dha një datë të saktë mbi nisjen e negociatave, por tha se ato variojnë dhe nga përvoja e vendeve të tjera, afatet kanë qenë të ndryshme në vende të ndryshme.
“Ajo çfarë kemi parë është që në shtete të caktuara kanë patur raste të caktuara. Mali i Zi për shembull i ka nisur brenda 1 viti. Për ne mbetet i rëndëësishëm fokusimi tek reformat dhe procesi”, tha ai.
Por cili është ndikimi i statusit tek qytetarët? Sa ndikon ky vendim në jetën sociale, politike dhe ekonomike të vendit?
“Do të ketë një çlirim të konfliktit të panevojshëm politik dhe palët duhet të fokusohen mbi aspektin e përbashkët dhe një axhendë kombëtare të integrimit dhe në planin ekonomik, kemi një injektim të besueshmërisë tek investitorët e huaj. Në shumë pikëpamje ka një efekt shumë të mirë psikologjik dhe financiar. Gjithcka do të varet tek aftësitë e administratës shqiptare për të tërhequr investimet”, deklaroi zv.Ministri i Integrimit.
Sa i përket lëvizjes së lirë, Lazimi tha se nuk ka asnjë ndryshim në planin teknik. Shqiptarët do të vazhdojnë të lëvizin ashtu sic kanë lëvizur me regjimin e liberalizuar të vizave, ndërkohë që pyetjes së kur mund të bëhemi anëtarë me të drejta të plota të Bashkimit Europian, iur përgjigj: Kur të jemi gati!
Top Channel