“Rexhep Qosja, rilindësi i kohës sonë” është dokumentari i gazetares Rudina Xhunga, për akademikun nga Kosova, i cili u shfaq në Muzeun Historik Kombëtar në ditën e 78 vjetorit të lindjes së tij.
Të pranishëm politikanë, mes tyre Kryeministri Rama me bashkëshorten Linda, akademikë e njerëz të medias.
“E mira që po më bëhet sot në dokumentarin në fjalë dhe në praninë tuaj në përurimin e tij këtu, më ka shuar atë pandjeshmëri të panatyrshme ndaj të mirës dhe të keqes dhe më ka gëzuar shumë sepse po më nderon Shqipëria. Ky nderim nuk është i pari që po më bëhet nga Shqipëria, e cila sot po rilind në pikëpamje politike, ekonomike, arsimore, kulturore, juridike dhe etike. Duke frymëzuar, madje edhe me ndjenjat me rëndësi historike, qytetarët e saj dhe shqiptarëve në përgjithësi që të jenë siç tha mençur një ditë Kryeministri Edi Rama – çka ishin të jenë të ftuar në kohën e rilindjes së madhe kombëtare të Pashko Vasës, Jani Vretos dhe Naim Frashërit, të jenë të gjithë në të njëjtën kohë edhe katolikë edhe ortodoksë edhe myslimanë”, u shpreh akademiku Rexhep Qosja.
“Falenderoj Profesor Rexhep Qosen që me besoi mua historinë e jetës së tij. Them më besoi, pasi shumë pak njerëz kanë ngelur që nuk flasin më për veten, por vetëm punojnë, i tillë është profesor Qosja. Ai punon dhe beson se është puna që tregon veprën e tij, jetën e tij, prandaj të fliste për veten dhe për punën ishte shumë e vështirë dhe që ma besoi mua jam pafundësisht falenderuese dhe mirënjohëse”, tha gazetarja Rudina Xhunga.
Dokumentari rrëfen jetën e panjohur të Profesor Rexhep Qosja, nga fëmijëria deri në ditët e sotme. Ky është i pari i realizuar mbi jetën e tij dhe vjen përmes intervistave. Përpos asaj të vetë akademikut, intervista të familjarëve dhe kolegëve nga Shqipëria e Kosova.
“Rexhep Qosja, rilindësi i kohës sonë” është realizuar me mbështetjen e Digitalb, nga Rudina Xhunga, me bashkëpunëtorët e saj: gazetaren Sonila Agostini, postproduksion Denada Beqiri dhe kamera Elin Kadillari. Ai do të transmetohet në kanalet T+ dhe Top Channel.
Top Channel