Refroma administrativo-territoriale

25/06/2014 00:00

Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi ka shpjeguar para këshilltarëve vendorë në të gjithë vendin rëndësinë e reformës administrativo-territoriale.

Kryetari i kësaj shoqate, Aldrin Dalipi foli për një disbalancë të nurmit të këshilltarëve në njësi vendore të vogla kundrejt bashkive të mëdha, ndërkohë që u shpreh se kjo reformë do të nxisë një funksionim më të mirë të këshillave bashkiakë në vend.

“Edhe në numër këshilltarët janë 6 mijë në total, por shpërndarja dhe përfaqësimi i tyre mbetet i pabarabartë dhe kjo duhet të ndryshojë. Në Tiranë përfaqësimi është 1 këshilltar për 10 mijë banorë, ndërsa në komuna 1 për 500 deri në 1.500 banorë. Shoqata e këshilltarëve mendon se shpërndarjet e ardhshme duhet të jenë më të drejta dhe këshillat të kenë ndarje më të balancuar”, deklaroi Dalipi.

Ndërsa ministri Bledi Çuçi, duke u ndalur në detajet e reformës territoriale, theksoi se ajo nuk ka asnjë qëllim politik, por ka për qëllim vetëm përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, me kosto më të ulët.

“Është një nga reformat më të rëndësishme për të bërë të mundur që decentralizimi të ketë gravitetin e duhur, pasi me këtë fragmentim territori që kemi sot, vetëm 15 për qind e njësive vendore arrijnë të realizojnë kompetencat dhe funksionet që u jep ligji. Pra, 85 për qind e njësive vendore nuk janë të afta të realizojnë kompetencat e njohura me ligj”, deklaroi Çuçi.

Fragmentimi territorial, tha Çuçi, kishte mbetur njëlloj si para viteve ’90, ndërkohë që spjegoi se tani do të ketë zona funksionale, shkrirje komunash dhe bashki më të mëdha.

Top Channel