
Mbledhja e së mërkurës e qeverisë është përqendruar në konkluzionet e mbledhjes së 28 Ministrave të Jashtëm të BE-së, ku u vendos dhënia e statusit të vendit kandidat.
Në një komunikim me media, pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha tha se “në fokusin e qeverisë do të jenë plotësimi 5 prioriteve dhe reformat administrative dhe ajo në drejtësi”.
“Po punojmë intensivisht për ngritjen e grupeve të punës për të ndjekur me rigorozitet plotësimin e pesë prioriteteve dhe shpresojmë që në një kohë rekord të kemi përfundimin e tyre. Do të vazhdojmë me një nga kërkesat që vijon të vijë nga Komisioni Europian dhe nga vendet anëtare sic është reduktimi në kohë i presioneve migruese drejt Bashkimit Europian dhe ulja e kërkesave të azil-kërkuesve. Unë këtu do të dëshiroja t’u vija në dijeni që vazhdon intensivisht një bashkëpunim i thellë i qeverisë shqiptare dhe i policisë shqiptare me të gjithë kufijtë e vendeve anëtare për të ulur numrin e azil-kërkuesve nga Shqipëria”, deklaroi Ministrja Gjosha.
Festa për statusin
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një ditë më parë se nuk do të ketë festime madhështore për “PO”-në europiane për statusin, por nje ceremoni dinjitoze dhe modeste.
Burime qeveritare i pohuan Top Channel se kanë nisur përgatitjet për këtë ceremoni e cila do të zhvillohet pasditen e të shtunës në kopshtin përpara Pallatit të Kongreseve në Tiranë.
Të ftuar do të jenë i gjithë trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, të gjithë ish-kryeministrat përfshi Fatos Nanon dhe Sali Berishën, Ish-ministrat e Integrimit, të githë kryetarët e partive politike përfshi dhe kryetarët e Komisioneve Parlamentare si dhe drejtuesit e opozitës.
Po të njëjtat burime sugjerojne organizimin e një pritje po kaq modeste edhe për vizitën e Barosos fillimjavën e ardhshme.
Top Channel