Pitella-Kukan përshëndesin Shqipërinë

25/06/2014 00:00

Vendimi i Këshillit të përgjithshëm të BE-së mbi Shqipërinë u mirëprit nga Presidenti i PE, Gianni Pittella, dhe kreu i deritanishëm i Delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan.

“Është një gur kilometrik në rrugën drejt anëtarësimit eventual në BE”, shprehet Presidenti në detyrë Pitella. Sipas tij, “statusi njeh progresin e Shqipërisë në reforma, rolin e saj konstruktiv në rajon dhe vendosmërinë e qeverisë për agjendën europiane”.

“Shpresoj që ai do të ndihmojë për të ngritur urën, për ndarësitë e thella ndërmjet forcave politike, që shpesh pengojnë progresin e vendit”, thuhet në njoftimin për shtyp të eurodeputetit italian.

“Reformat ia vlejnë të ndiqen për të mirën e qytetarëve dhe jo vetëm për hir të BE-së, ndaj inkurajoj Shqipërinë në përpjekjet këmbëngulëse për çrrënjosjen e korrupsionit, krimit të organizuar, forcimin e gjyqësorit dhe për vazhdimin e modernizimit të ekonomisë, që përbëjnë dhe sfidat kryesore për vendin”, përfundon qëndrimi i socialdemokratit Pitella.

Ndërkohë që, për të djathtin Eduard Kukan, vendimi vjen në “çastin e duhur”. “Shqipëria ka bërë përpjekje domethënëse për të arritur statusin dhe BE nevojitet të qëndrojë e besueshme në procesin e integrimit”, thuhet në deklaratën për shtyp të zyrës së Kukan.

“Dua të përgëzoj qeverinë shqiptare për progresin e bërë mbi agjendën e BE-së. Vitet e shkuara treguan se një përparim i tillë është i mundur vetëm me përpjekje të përbashkëta të të gjithë aktorëve politik”, shprehet eurodeputeti i rizgjedhur sllovak, duke inkurajuar të gjithë politikanët shqiptarë, që të fokusohen te reformat kyçe.

“Vendimi duhet të jetë një inkurajim jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Procesi integrues është kërkues, sidoqoftë, kur përpjekjet bëhen, ato sjellin rezultate”, shprehet kryetari i deritanishëm i Delegacionit për Ballkanin në PE.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel