NATO, takimi i ministrave të Jashtëm

25/06/2014 00:00

Ministrat e Jashtëm të Aleancës Euroatlantike u mblodhën në Bruksel, “në një moment kritik”, siç u shpreh sekretari i përgjithshëm Rassmussen, duke iu referuar vendimeve të marra për mbrojtjen kolektive dhe planin e veprimit të gatishmërisë për samitin e Uellsit.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati sqaroi se vendimet kanë të bëjnë me masat shtesë në ndihmë të Ukrainës për sektorin e mbrojtjes, paketën për afrimin e Gjeorgjisë, raportet me Rusinë dhe Afganistanin, si dhe zgjerimin e Aleancës me Malin e Zi.

“Ne arritëm një kompromis për të cilin jam i lumtur, për t’i bërë një vlerësim Malit të Zi deri në fund të vitit tjetër mbi reformat që duhet të bëjë ky vend për procesin e anëtarësimit”, deklaroi Bushati.

Ministeriali i NATO-s përbënte, si zakonisht, një mundësi të mirë për ministrin shqiptar për t’u takuar me homologët e tij europianë pas vendimit të marrë në Luksemburg për dhënien e statusit kandidat, që merr efekt të premten zyrtarisht.

“Shpresoj që atmosfera dhe optimizmi i krijuar në vend të përkthehet në mënyrë të përgjegjshme nga ne aktorët politikë, në një klimë më bashkëpunuese, në radhë të parë në Parlament, çka do të rriste kohezionin e Shqipërisë dhe do t’i mundësonte asaj të ecte përpara në mënyrë të shpejtë dhe me cilësi në procesin e reformave.

Gjithashtu, një kohezion i brendshëm më i mirë i jep Shqipërisë shanse për t’u projektuar si një faktor jo thjesht stabiliteti, por që promovon zhvillimet demokratike.

E them këtë sepse këto ditë kam marrë mesazhe inkurajuese nga shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Preshevë, Mal të Zi dhe ka ardhur koha që shqiptarët kudo që ndodhen ta shohin Shqipërinë si një vend që promovon zhvillimet demokratike dhe çon rajonin përpara rrjedhave europiane”, deklaroi Bushati.

Dy sekretarët e Mbretërisë së Bashkuar dhe kreu i Aleancës zbuluan në fund të ministerialit dyditor dhe logon e samitit që mbahet pas 3 muajsh në Uells të Britanisë së Madhe.

Top Channel