FIFA hap proces disiplinor ndaj Suarezit

25/06/2014 00:00

Ashtu siç pritej, kafshimi që Luis Suarezit ndaj Chiellinit do të hetohet nga FIFA. Lajmin e ka bërë të ditur vetë organizmi drejtues i futbollit botëror nëpërmjet një komunikate në orët e para të ditës së sotme.

Sulmuesi i Uruguajit kafshoi në shpatull mbrojtësin italian, por nuk mori asnjë ndëshkim nga arbitri i ndeshjes për këtë veprim.

“FIFA konfirmon që është hapur një procedim disiplinor ndaj lojtarit Luis Suarez pasi mendohet se ka shkelur nenet 47 dhe 57 të rregullores gjatë ndeshjes Itali-Uruguaj”, lexohet në komunikatën e FIFA-s.

Sulmuesi i Uruguajit, ekipi i të cilit arriti të sigurojë kualifikimin në raundin e ardhshëm të Botërorit, atë të 16-sheve, pas fitores 1-0 të arritur ndaj Italisë së mbetur me 10 vetë, pati një përplasje me mbrojtësin Giorgio Chiellini, në një incident të ndodhur vetëm pak minuta para se amerikano-jugorët të shënonin golin e fitores.

Pamjet televizive treguan Suarezin të afronte kokën e tij mbi shpatullën e Chiellini-t, e më pas të dy lojtarët u rrëzuan në tokë. Menjëherë pas “kafshimit” të dyshuar, Chiellini përdori brrylet në ndihmë të tij.

Kur mbrojtësi juventin u ngrit, thuajse “e shqeu” bluzen për të treguar se ishte kafshuar në shpinë. Ndërkohë, nga ana tjetër, Suarez gjendej i shtrirë në tokë dhe pretendonte se ishte goditur nga italiani.

“Ishte gjëja më qesharake, fakti që Suarez nuk u ndëshkua me karton të kuq”, tha Chiellini pas ndeshjes për Rai TV. “Është e qartë, tërësisht e qartë, e më pas u bë një rrëzim i simuluar, sepse e dinte shumë mirë që kishte bërë diçka që nuk duhej ta kishte bërë”.

Top Channel