“Çdo ditë kontribut për integrimin”

25/06/2014 00:00

Lulëzim Basha ishte në Kavajë ku mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Partisë Demokratike. Duke e cilësuar Kavajën si qyteti ku nisi dhe mori jetë rrugëtimi europian i Shqipërisë, Basha shprehu mirënjohje për ata që kontribuan në marrjen e statusit të vendit kandidat, status që sipas tij duhet të merrej dy vite më parë.

“Mirënjohje dhe respekt për kontributin e administratës, të lidershipit politik të PD, të qeverisë së Sali Berishës që bëri të mundur nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në qershorin e vitit 2006, plotësimin e pyetësorit dhe dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në BE në prillin e vitit 2009, liberalizimin dhe heqjen e vizave në dhjetor të vitin 2010. Natyrisht që do të donim që këtë status ta merrnim më shpejt, ta merrnim dy vjet më parë dhe kur na u rekomandua për herë të parë, por fatkeqësisht opozita e djeshme kishte një tjetër axhendë”, deklaroi Basha.

Sfida e radhës, sipas kryetarit të demokratëve, është hapja e negociatave. “Europa i kujtoi njëzëri mazhorancës se dialogu me opozitën është faktor vendimtar, edhe pse kjo e fundit me arrogancë kërkon të përqëndrojë gjithë pushtetin në duart e saj. Ne do të bëjmë gjithçka për Shqipërinë europiane, por ne nuk do të lejojmë e as nuk do të pranojmë kurrë shkelmimin e standardeve dhe normave europiane. Ne po ndërtojmë dhe do të ndërtojmë standardin europian duke nisur nga shtëpia jonë, duke zgjedhur me votë drejtuesit tanë e duke u ngritur e duke u bashkuar njezëri në vullnetin tonë të përbashkët për betejat, sfidat dhe fitoret që na presin përpara”, u shpreh Basha.

Top Channel