
Nga selia e PD, ish-kryeministri Sali Berisha e quajti marrjen e
statusit të vendit kandidat, një pasaportë të re besimi, që e bën
Shqipërinë më të besueshme jo vetëm për Bashkimin Europian, por edhe në
të gjithë Botën.
Berisha, vonesat në marrjen e statusit ia ka faturuar pasardhësit të tij Edi Rama.
“Ky
vendim u bllokua pasi ai e vonoi me 3 ligjet. Në Dhjetor të vitit 2012,
në Mars të vitit 2013 dhe, natyrisht, në Dhjetorin e 2013-s,
pavarësisht se Shqipëria kishte bërë zgjedhje dhe një rotacion
demokratik të pushtetit, çka ishte përshëndetur universalisht, prap nuk u
dha”, u shpreh Berisha.
Duke komentuar deklaratat e një dite më
parë të kryeministrit Rama, për goditje frontale të të korruptuarve në
drejtësi, Berisha i quajti ato si një revansh primitiv, por është
pajtuar me faktin e shtrirjes së epidemisë korruptive në drejtësi.
“Ata
janë dhe duhen ndëshkuar me të gjithë forcën e ligjit. Në rrugën e tyre
të integrimit janë politikanët e inkriminuar dhe krimi në majat më të
larta të politikës”, u shpreh ish-kryeministri Berisha.
Top Channel