
“Si një ditë e mirë për Shqipërinë dhe betejë e fituar me meritë e Aleancës për Shqipërinë Europiane”, kështu e ka përshkruar kryeministri Edi Rama, PO-në e dhënë për statusin nga 28 minitrat e Jashtëm të BE-së në Luksemburg.
“Është një shenjë shumë e qartë për drejtimin e rrugëtimit tonë, që nga sot ka më shumë shpresë dhe perspektivë për të gjithë shqiptarët. Kjo që kemi arritur flet qartë se mund të arrijmë çdo gjë nëse kemi një plan dhe stafin e duhur për ta vënë në jetë. Sikurse treguam që skuadra jonë është në lartësinë e sfidave, ju siguroj se plani ynë dhe skuadra jonë do të japin të tjera rezultate që ky popull të ketë arsye të gëzohet”, deklaroi Rama.
Kryeministri falenderoi të gjithë bashkëpuntorët e tij, duke mos harruar opozitën, por falenedrimi më i theksuar shkoi në adresë të kryetares së komisioni parlamentar të integrimit, Majlinda Bregu.
Nuk mbetën jashtë falenderimit të gjithë liderët europianë mikpritës të kryeministrit Rama, për të cilët ai tha se ata i qëndruan projektit të Europës, i cili nuk mund të jetë pa Shqipërinë dhe Ballkanin.
E ndërsa marrja e statusit do të shoqërohet me kushte të forta për negociatat, Top-Channel e pyeti kryeministrin Rama se kur ai mendon çeljen e tyre.
“Statusi është si fejesa, fejesa ka kushte dhe pa plotësuar kushtet nuk martohesh dot. Kështu që nuk diskutohet se procesi vjen duke u bërë më intensiv, rruga më e vështirë dhe sfida më e madhe me Evropën. Në këtë aspekt jemi të bindur se do t’ia dalim pavarësisht se çfarë kushtesh vendosen”, nënvizoi Rama.
Në konferencën e përbashkët për median, Klajda Gjosha, ministre e Integrimit, e quajti lajmin pozitiv nga Luksemburgu si një përgjegjësi të dyfishtë dhe pikërisht këtë përgjegjësi e ilustroi me një thënie të kryemimistrit britanik Churchil.
“Është një proces që nuk i vëmë dot një datë, por mesazhi që morëm sot tregon se është një proces që funksionon dhe aspirata e shqiptarëve shumë shpejt do të kthehet në realitet. Tani nuk është fundi, as fillimi i fundit, por është fundi i fillimit”, deklaroi Gjosha.
Më tej kryeministri deklaroi se nuk do të ketë ndonjë megakoncert për të festuar, pasi qeveria e tij thjesht bëri detyrën, por anunçoi organizimin e një ceremonie dinjitoze ku do të jenë të gjithë, duke i dërguar ftesë publike edhe paraardhësit Sali Berisha.
Rama paralajmëron furtunë në drejtësi
“Gatet e gjykatave të dorëzojnë çekiçin e të largohen vet”
Shefi i qeverisë Shqiptare e përshkroi takimin me kancelaren Angela Merkel si të zënë keq si asnjëherë më parë, kur biseda u ndal tek drejtësia.
Në ditën e PO-së europiane për statusin, Edi Rama paralajmëroi gjygjtarët e korruptuar të etiketuar prej tij si “Gatet e Drejtësisë” ose ta lënë vetë çekiçin e gjygjtarit, ose do të përballen me goditjen frontale të mazhorancës qeverisëse, për t’i dhënë fund mbretërimit korruptiv në drejtësi.
“Ne do të godasim. Mandati i 23 qershorit është një mandat i goditur, jo për t’u justifikuar. Kemi mandatin e konsensusit kushtetues me 84 vota. Do ta përdorim fuqishëm sepse nuk mund të turpërohemi më në sytë e botës se si drejtësia kapet me çekiç. Kriminelët lëshojnë flakët me armë dhe me ato armë vrasin njerëz, më pas paguajnë ata me çekiç në dorë për t’u kthyer prap të lirë”, u shpreh Rama.
Meta: Suksesi nuk përjashton askënd
“Reflektim për atë që duhet të bëjmë ndryshe. Integrimi duhet të na bashkojë”
Kryetari i Kuvendit dhe i LSI-së, Ilir Meta ka përshëndetur marrjen e statusit të vendit kandiat përmes një deklarate për shtyp të mbajtur në ambjentet e Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Meta ka vlerësuar kontributin e të gjithë faktorëve, përfshirë opozitën, si dhe ka bërë një apel për një punë gjithëpërfshirëse për të arritur tek hapja e negociatave të anëtarësimit.
“Marrja e statusit është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe rajonin. Falenderoj të gjithë faktorët që ndikuan në këtë proces, përfshirë opozitën. Falenderoj edhe të gjitha vendet anëtare, sidomos presidencën greke për mbështetjen e saj. Marrja e statusit tashmë është e kaluara. Tani kemi shumë punë përpara deri në hapjen e negociatave”, ka deklaruar Meta.
LSI: Statusi, i merituar prej kohësh
“Kjo ditë të shërbejë për të na bashkuar të gjithë”
Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, forcen e dytë qeverisëse, marrja e statusit të vendit kandidat ishte një vendim i merituar prej kohësh. Nënkryetari Petrit Vasili deklaroi se kjo ditë duhet të shërbejë për bashkimin e të gjithëve.
“Merita kryesore u shkon shqiptarëve dhe besimit të tyre se Evropa është objektiv i çdo shqiptari. Është një vendim që i gëzon të gjithë, që nuk ndan kërkënd dhe që shuan kufijtë e politikës.
Është vendi për të gëzuar të gjithë, mazhorancë dhe opozitë. Ky sukses do mbetet i skalitur në historinë e Aleancës për Shqipërinë Evropiane sepse i dha fund ankthit të një pritjeje shpresëdhënëse. Tani jemi para përgjegjësive të reja, por me një moral dhe dinjitet të ri”, deklaroi Vasili.
Top Channel