“Statusi, një stimul i madh”

24/06/2014 00:00

Statusi i kandidatit për Shqipërinë ka rëndësi psikologjike në arsyetimin e zëvendës/drejtoreshës së Shoqatës së Europës Juglindore, Johanna Deimel.

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, ajo sqaroi se çfarë do të thotë konkretisht për vendin tonë konfirmimi i shumëdëshiruar.

Shqipëria, – pohon Deimel, – duhet të vazhdojë përgatitjet për hapjen e negociatave. Si në fazën, në të cilën ndodhen edhe vendet e tjera kandidate të BE-së, do t’i duhet të hapë kapitujt e parë të negociimit, si ai 23 dhe 24, dhe pikërisht këta janë kapituj të rëndësishëm dhe njëkohësisht të vështirë për vendin. Por, në vetvete, marrja e statusit është një stimul i madh.

Zyrtarja shpjegon edhe rezulatin e sondazhit të Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, ku u vu re një rënie e entuziazmit për BE-në, nga mbi 80% në 2011, në 77%. Sipas saj, një fenomen i tillë lidhet me kohën e gjatë të pritjes, shtyrjen e vendimit disa herë, e faktin që, me çdo rezultat negativ, frustrimi është rritur dhe mes njerëzve ka zënë vend një lloj lodhjeje me Europën.

Prandaj, statusi i vendit kandidat është psikologjikisht i rëndësishëm. Deimel përmend edhe faktin, që qeveria e re nën drejtimin e Edi Ramës ka ndërmarrë shumë hapa konkret në drejtim të integrimit europian.

Me këtë lidhen edhe reforma të dhimbshme, që prishin strukturat e vjetra dhe vënë në pikëpyetje disa përfitime, çka padyshim shkakton pasiguri dhe reagime negative te popullata. Por, ende mbështetja e popullit për integrimin cilësohet e lartë, diçka e rëndësishme dhe mjaft pozitive kjo për të ardhmen.

Në intervistë preket dhe operacioni në Lazaratin e cilësuar si njollë e errët e imazhit të Shqipërisë. Për zëvendës/drejtoreshën e Shoqatës së Europës Juglindore, ky ishte një sinjal i rëndësishëm, që i jepet bashkësisë ndërkombëtare dhe 28 vendeve të BE-së, një aksion që erdhi në kohën e duhur, e u vu në skenë në mënyrë spektakolare, dhe sigurisht pamje të tilla ndihmojnë.

Top Channel