
Menjëherë pas dështimit në Botërorin e Brazilit, ku “axurrët” nuk mundën të kalonin as grupin përballë rivalëve si Anglia, Uruguaji dhe Kosta Rika, e për më tepër një dështim i përsëritur për së dyti, pas eliminimit në grup në Botërorin e Afrikës së Jugut, me kombëtare si Paraguaji, Zelanda e Re dhe Sllovakia, tekniku Cesare Prandelli dhe presidenti i Federatës italiane të Futbollit (FIGC), Giancarlo Abete, japin dorëheqjen e parevokueshme.
Trajneri italian ka deklaruar pas ndeshjes së humbur me Uruguajin, 0-1, se do të marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë e dështimit dhe mosfunksionimit të aspektit taktit në këto dy ndeshje të fundit, dhe pritet t’i dorëzojë dorëheqjen presidentit të Federatës italiane. Ndërkohë, nga ana tjetër, është vet presidenti Abete, ai që ka deklaruar në mënyrë të menjëhershme dorëheqjen si kreu i organit më të lartë futbollistik italian, duke shtuar se “shpresoj që në takimin e ardhshëm të bordit, drejtuesit e tjerë të nxisin Cesare-n të rimarrë në konsideratë pozicionin e tij”.
Në një moment kaq shumë kritik për Italinë, Prandelli është shprehur: “Dikush ka thënë se me pagat tona kemi vjedhur paratë e kontribuesve. Përkundrazi, unë nuk vjedh asnjë lek ndaj askujt. Mund të them se largohem edhe për këtë akuzë”.
Abete është treguar i prerë dhe i qartë: “Shpresoj që ta bindin të ndryshojë mendim. Por, unë do të paraqitem në Këshillin e Përgjithshëm me dorëheqjen e parevokueshme”.
Top Channel