Basha: U kurorëzuan 5 vjet punë

24/06/2014 00:00

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, pasi ka uruar dhe falenderuar të gjithë shqiptarët dhe aktorët politikë që punuan për këtë arritje, deklaroi se kjo është kurorëzimi i pesë vjet punë dhe përpjekje të përbashkët. Por statusi, sipas kreut të opozitës, është stacioni nga nis përpjekja për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Është fundi i një rrugëtimi që nisi 5 vite më parë, me aplikimin nga qeveria e Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin e plotë të vendit në BE. Është fillimi i një rrugëtimi tjetër.

Një stacion i rëndësishëm po përmbyllet më së fundmi por një stacion tjetër na pret, hapja e bisedimeve, përfundimi me sukses i të cilave çon drejt anëtarësimit të plotë të vendit në BE.

Lajmi i shumëpritur që morëm sot, të na shërbejë për të kuptuar se tashmë “steka” është ngritur më lart, se nga gjithsecili prej nesh pritet më shumë e veçanërisht nga politikëbërësit e vendimmarrësit që kanë në dorë fatet e qytetarëve përmes asaj çka bëjnë, asaj çfarë nuk bëjnë, asaj çfarë bëjnë mirë apo asaj çfarë bëjnë keq”, deklaroi Basha.

Nishani: Ditë gëzimi për shqiptarët
“Mirënjohje për vendet mike, që mbështetën dhënien e statusit”

Pas vendimit të Këshillit të ministrave të BE-së, për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, Presidenti Bujar Nishani ka përshëndetur këtë vendim dhe ka falënderuar vendet mike, që mbështetën Shqipërinë.

“Ditë gëzimi për Shqipërinë tonë! Mirënjohje të gjithë shqiptarëve, që besuan dhe punuan me vendosmëri për ëndrrën evropiane. Mirënjohje për vendet mike, që, pa mëdyshje, unanimisht mbështetën përpjekjen disavjeçare për marrjen e merituar të statusit, si vend kandidat i BE-së. Besimplotë se vendimi i sotëm do të jetë në rezonancë të plotë me vullnetin e Këshillit Evropian”, mbyll mesazhin e tij Presidenti Nishani.

Edhe Berisha përshëndet statusin
“Arritje madhore në rrugën e integrimit. Rama e pengoi për dy vjet”


Marrjen e statusit të vendit kandidat e ka përshëndetur edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në një postim të tijin në rrjetin social Facebook, Berisha ka theksuar se, edhe pse me vonesë për shkaqe shqiptare, kjo është një arritje madhore në rrugën e integrimit të plotë të Shqipërisë në BE.

Berisha ka falenderuar mijëra punonjës të administratës shtetërore, “puna dhe përkushtimi i të cilëve bëri të mundur zbatimin me seriozitet të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”.

Nuk kanë mbetur jashtë falenderimeve edhe ministrat e Jashtëm të BE, qeveritë e vendeve anëtare për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit dhe për vendimin e tyre të drejtë të akordimit të statusit të vendit kandidat.

Në fund, ish-kryeministri u ka kujtuar shqiptarëve se shkaku kryesor i mosmarrjes së statusit në tetor të vitit të kaluar është pikërisht kryeministri aktual, Edi Rama, i cili bëri një akt antikombëtar duke refuzuar votimin e tre ligjeve për të cilat ishte rënë dakord.

Top Channel