Në vazhdën e emisioneve kushtuar turizmit, “Shqip” i kësaj jave me gazetaren Rudina Xhunga u ndal në qytetin e Korçës për të folur për agro-turizmin dhe hotelerinë.
Në pjesën e parë të ishin të ftuar Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, zv.ministri i Turizmit Alfred Dalipi dhe Zamira Kita.
Zamira Kita, pjesë e Bashkisë së Korçës dhe drejtore e Qendrës së Teatrit dhe Kulturës mori e para fjalën. Ajo u ndal tek lidhja që ka Korça me turizmin dhe me përpjekjet e institucioneve vendore atje, por edhe të korçarëve për të ringjallur karnavalet si pjesë e rëndësishme e tërheqjes së turistëve.
“Korça ka një lidhje shumë të fortë me turizmin sepse në gjithë këto vite jemi fokusuar tek turizmi, jemi përpjekur që të zhvillohet turizmi. Kur them ne, unë si drejtore e Qendrës së Teatrit dhe Kulturës, por edhe si punonjëse e Bashkisë së Korçës, jemi përpjekur ta shikojmë turizmin drejt për t’u zhvilluar qytetit, për t’u zhvilluar ekonomia. Karnavalet kanë 7 vjet që ne i kemi rikthyer, por ishte i 11 edicion. Është një festival ndërkombëtar me trupa të huaja dhe trupa nga Shqipëria. Sivjet për herë të parë kishim trupën e Shkodrës me veshje veneciane që janë vërtet shumë të bukura dhe të vecanta. U bashkuan karnavalet, vallet dhe muzika. Nga viti në vit qyteti ka nisur të shtojë veshjet e karnavaleve. Të gjithë vishen për karnavale, edhe unë, nënkryetarja e Bashkisë, kryetari i Bashkisë, Prefekti, pra të gjithë. Ne përpiqemi që t’ua ushqejmë këtë dashuri të gjithë qytetit, ta ringjallim dhe shohim që vit pas viti ka më tepër gjallëri”, deklaroi Kita.
A është rikthyer vëmendja tek agroturizmi? Cfarë ndodh me këtë lloj turizmi në Shqipëri? Sa të përfshirë jemi ne? Këtyre pyetjeve u dha përgjigjje Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.
“Është kthyer vëmendja ndaj bujqësisë që ka në bazë të saj bujqësinë familjare që është edhe baza e turizmit. Në Korçë vlon bujqësia, shikohet një impuls i paparë i punëve në bujqësi. Bujqësia familjare ajo që tërheq turizmin. Kjo lloj bujqësie përshtatet lehtë dhe kalon më shpejt krizat. Jo rastësisht Kombet e Bashkuara kanë shpallur 2014 vitin e bujqësisë familjare. Ajo bën agroturizmin. Është një bujqësi që prodhon, por nuk mbahet vetëm nga prodhimi bujqësor, por edhe nga aktiviteti që zhvillohet brenda fermës, kulinaria dhe njehësimi i bujqësisë me një produkt tipik që të mbahet mend nga turisti. Agroturizmi tek ne është akoma në fazën embrionale, megjithatë në Qarkun e Korçës janë 350 familje që merren me agroturizëm. Kemi fshatra që janë shquar për agroturizëm, Dardha, Voskopoja, Boboshtica”, u shpreh ministri Panariti.
“Korça duhet marrë si shembull dhe duhet promovuar në fushën e agroturizmit”, shtoi Ministri i Bujqësisë.
Zv.Ministri i Turizmit, Alfred Dalipi tha se dy elementët e parashtruar nga Zamira Kita dhe nga Ministri Panariti, përpiqen të fokusohen tek ajo që është përzgjedhja e bërë edhe nga politika e qeverisë, shndërrimi i vendit në një destinacion të përhershëm turistik.
“Tendecat për agroturizëm janë pozitive, por në këndvështrimin e Ministris së Turizmit tendeca është për të rritur dhe shumëfishuar modelet. Realisht një koordinim mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Urban do të ishte shumë e mirë që modelet aktuale të agroturizmit në pikëpamjen e koordinimit dhe imponimit që mund t’i bëhet me modele të strukturuara nga pikëpamja e produktit të markuar dhe zhvillimit të organizuar. Me strategjinë e zhvillimit që do të miratohet në qeveri për vitin 2014-2020 është që të gjitha elementët e marrë së bashku, traditat, turizimin detar, turizmin malor, festat etj, t’i marrim së bashku duke krijuar produkte turistike të kristalizuara”, tha Dalipi.
Pjesës së dytë, panelit të “Shqip” iu bashkuar kreu i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo dhe Niko Balli, drejtor i agroturizmit në Korçë.
“Janë rreth 150 familje që merren me agroturizmin në rrethin e Korçës. Mendoj që potencial në zhvillimin e agroturizmit ka Voskopoja, Dardha, Prespa, Vithkuqi dhe Lini. Sot në bujqësi një nga sektorët me prioritet është agroturizmi. Ky sektor me këtë potencial të madh duhet të vlerësohet dhe mendoj që në të ardhmen duhet të ketë një prioritet të madh. Mendohet që këtë vit në Qarkun e Korçës në këto fshatra që unë përmenda më lart do vijnë 150 mijë turistë të huaj për pushime”, deklaroi Niko Balli.
Kreu i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo tha se një nga prioritetet e institucionit që ai drejton është turizmi.
“Korca është qyteti që gërsheton traditat historike me ato kulturore. Këto vlera gërshetohen më së miri në qytetin tonë me bukuritë natyrore të rrethinave të Korçës. Kjo është ajo që kemi trashëguar, por nuk jemi mjaftuar me kaq. Do të doja të flisja për dy aspekte, investimet në infrastrukturë në funksion të turizmit. I kemi rikthyer qytetit rrugicat me kalldrëm në funksion të turizmit. Janë rreth 100 mijë metër katrorë të shtruara në pjesën historike të qytetit duke i kthyer pamjen tradicionale të dikurshme. Bashkia ndërhyu në bulevardin qendror të qytetit dhe na vjen mirë që ndërhynë edhe bizneset duke e shndërruar në atë që ne na pëlqen ta quajmë kilometri më i bukur në Shqipëri”, tha Filo.
Ai tha se investimet kanë vazhduar me sheshin pranë Katedrales dhe të tjera investime që do të vazhdojnë duke shtuar se investimet janë në funksion të turizmit dhe në funksion të rritjes së mirëqënies së qytetarëve të Korçës. Kreu i Bashkisë shtoi më tej se po kaq është punuar edhe në pjesën tjetër, atë të organizimit të festave për ta identifikuar Korçën si qytet të festave.
“Kemi punuar me përkushtim për të krijuar një paketë eventesh, kombëtare dhe ndërkombëtare që kanë qenë në funksion të turizmit për vendin tonë”, tha Filo.
Në pjesën e tretë në panelin e improvizuar “Shqip” u ndal tek hoteleria në shërbim të turizmit.
Top Channel