Dorian Koçi – Gjermania dhe Shqipëria, dy botë të largme, por po aq dhe të afërta, kanë shënjuar si skaje dhe qendra të qytetërimit europian në periudha të ndryshme të tij.
Duke qenë se historia njerëzore është një parabolë e shkëlqimeve dhe rënieve të qytetërimeve, kjo lloj parabole sa herë që serviret herë si qendër e herë si periferi krijon emocione të veçanta. Nuk ka dyshim se Shqipëria sot përbën një shtet e shoqëri periferike të Europës që po tenton të hyjë në familjen e madhe europiane, ku prej shumë kohësh shteti dhe shoqëria gjermane janë promotorë të krijimit dhe të mbarëvajtjes së saj. Në këtë marrëdhënie botësh, shpeshherë roli i shtetit dhe shoqërisë gjermane i ka përngjarë gjigantit të madh e të mirë që përpiqet të ndihmojë fëmijën për t’u maturuar dhe gjetur rrugën e vet, rrugë që ka konsistuar të jetë e vështirë për shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Njëqind vjet më parë, rastësisht, për të respektuar një traditë të stabilizuar europiane, një princ gjerman u caktua për të administruar Shqipërinë, një eksperiment social që Lufta e Parë Botërore i dha fund pa i dhënë kohë as Princ Vidit dhe as shqiptarëve që të provonin veten.
Njëqind vjet më vonë, Shqipëria, pas një rrugëtimi të gjatë po përgatitet t’i bashkëngjitet familjes europiane, rrugëtim që pasqyrohet më së miri në librin “Shansi gjerman dhe shqiptarët” i gazetares Mimoza Cika-Kelmendi. Ky rrugëtim vjen i strukturuar nëpërmjet 40 intervistave të përzgjedhura e të transmetuara ndër vite nga valët e radios “Dojçe Vele”, duke i paraqitur publikut shqiptar një opinion krejt ndryshe nga sa jemi mësuar më parë. Në faqet e librit gjejmë hap pas hapi intervistat e ish-kryeministrave shqiptarë dhe figurave publike që hedhin dritë më tepër mbi marrëdhëniet shqiptaro-gjermane gjatë tranzicionit shqiptar. Ky tranzicion, që i përngjet një udhëtimi shpirtëror sa për të njohur tjetrin dhe kulturën politike të tij, i shërben po aq mirë dhe vetë shoqërisë shqiptare për të njohur më mirë veten. Në këto intervista gjenden të pasqyruara sfidat dhe sukseset, dështimet dhe vështirësitë e botës shqiptare këndej e andej kufirit, çka e bën këtë libër të veçantë, pasi në të, si një pasqyrë, mund të shikosh vetveten. Për audiencën e thjeshtë, ky libër është një libër më tepër që shuan kureshtjen dhe sjell në vëmendje të gjithë protagonistët e tranzicionit shqiptar, për studiuesit e komunikimit është një libër i çmuar që zbulon hap pas hapi rrugëtimin e ligjërimit publik shqiptar për çështje të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, si sundimi i ligjit, integrimi europian, reformat institucionale etj. Në të njëjtën kohë, intervistat e realizuara zbulojnë dhe anën njerëzore të protagonistëve të politikës dhe shoqërisë shqiptare, duke hedhur dritë në aspektin tjetër të marrëdhënieve të tyre me publikun shqiptar. Ky kombinim eksperiencash dhe ndjesish të realizuara me mjeshtëri nga gazetarja Mimoza Cika-Kelmendi, i ka dhënë librit, përveçse dimensionin serioz, politik e social, dhe atë human.
Radio “Dojçe Vele” është dritarja europiane mediatike prej nga bota shqiptare ka komunikuar dhe ka marrë kumte me Europën, çka me të drejtë i ka dhënë asaj një vend të preferuar në opinionin publik shqiptar. Ky vlerësim sigurisht që nuk ka lindur vetvetiu, por ndoshta si një reflektim i vizitës së dikurshme të Kancelarit të landit të Bavarisë, Oto Shtraus dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Hans Didrih Gensher, që u përpoqën t’i jepnin vendit të izoluar dhe të harruar nga Europa një shans për të rigjetur sërish familjen europiane. Këtë shans dhe avantazh gjeostrategjik për fat të keq, mendjet e rrudhura të socializmit shqiptar nuk e kuptuan, por përpjekja gjermane sigurisht që mbeti në memorien kolektive shqiptare si një gjest kalorësiak i dëshirës së mirë. Sot, Shqipëria ka marrë mbështetjen gjermane për të përftuar statusin e vendit kandidat dhe në këtë vendim një kontribut jo të vogël për të kuptuar mekanizmin e këtij vendimi ka dhe ky libër. “Bota bëhet më e bukur nga librat”, thotë një fjalë e urtë, por ndoshta librat që të ndihmojnë të njohësh vetveten janë dhe librat më të mirë. Padyshim që libri “Shansi gjerman dhe shqiptarët” bën pjesë në këtë kategori.
Top Channel