Rama: Drejtësia e mbushur me ‘Gate’

23/06/2014 00:00

Zhvillimet e ditëve të fundit, në atë që Edi Rama e quajti “Republikën e turpit të Lazaratit”, në këndvështrimin e kreut të qeverisë përkthehen si një javë e shënuar për qeverinë.

Duke e cilësuar luftën me krimin një prioritet, si dhe suksesin e  operacionit në Lazarat një pikë kthese, Rama tha se kjo na bën të ecim më shpejt drejt formimit të një policie europiane.

Kryeministri, nga mbledhja e grupit parlamentar, bëri një falënderim të posaçëm për ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, por nuk kurseu kritikat për deputetë të caktuar, të cilët nuk e kanë mbështetur Tahirin ashtu siç duhet, në përmbushje të detyrës së tij.

“Pikërisht në orët më të vështira, ka mundur të shohë dhe të çmojë, cilësitë e posaçme të ministrit tonë të Brendshëm. Aftësinë e tij për të drejtuar pa humbur qetësinë e as besimin, edhe atëherë kur shtegu duket se bëhet shumë ngushtë. Ndaj Saimir Tahiri sot meriton, jo vetëm falënderimin tonë të me gjithë zemërt, për vlerën e shtuar që i ka sjellë jo vetëm policisë, por vet familjes sonë politike në sytë e publikut, por meriton besoj, dhe kjo duhet thënë sot, edhe ndjesën e heshtur të kujtdo deputeti që me heshtjen e tij nuk e ka bërë si duhet detyrën e tij të deputetit, e cila sa për kujtesë, është mbështetja pa kushte dhe asnjë rezervë e çdo ministri që kryen me sukses detyrën”, tha kryeministri Rama.

Pjesën më të madhe të fjalës, përpara grupit parlamentar socialist, Rama ia kushtoi sfidës, me të cilën do të përballet koalicioni qeverisës; reformës në drejtësi.

“Gatja i Lazaratit me armë dhe me thasë të mbushur me hashash në shtëpi është askushi, në krahasim me Gatet e pushtetit gjyqësor, që për armë kanë çekiçin e gjykatësit, ndërsa paratë i bëjnë me thasë duke nxjerrë nga kafazët Gatet e krimit. Sot, gjyqtarët që kryejnë krime duke u bërë pjesëmarrës në vrasjet dhe tragjeditë njerëzore, që shkaktojnë rrugëve Gatet e liruar me një të rënë çekiçi prej tyre, duhet ta marrin qartë mesazhin se, ne jemi gati të përballemi me çfarëdo kosto me ta”, shtoi kryeministri Rama.

Rama i dërgoi edhe një mesazh të fortë Prokurorisë së Përgjithshme.

“Po ashtu sot prokurorët që kanë marrë kaq shumë kohë këtij vendi, për t’i ardhur vërdallë dosjeve të krimeve të zyrtarëve të lartë, apo duke nxjerrë prej tyre vetëm ca cironka të lodhura, si ato që kapnim ne me kavanozë te bregu i liqenit, duhet ta kenë të qartë se nuk mund t’i fshihen më përgjegjësisë së tyre. Superaksioni i Lazaratit e ka rritur edhe më shumë pritshmërinë popullore ndaj nesh, lidhur me vënien në vend të së drejtës së këtij populli, për dy gjëra shumë të thjeshta që çdo popull i do dhe i meriton, por sidomos një popull në mes të Europës. Për të pasur shtet dhe për të pasur drejtësi”, përfundoi Rama.

Duke mos komentuar gjatë për statusin, por optimist për një përgjigje pozitive, kryeministri Rama deklaroi se “marrja e statusit do të shënojë justifikimin e fundit për mjerimin e drejtësisë” dhe se, “me këtë drejtësi, Europën ne nuk mund ta shikojmë as me dylbi”. Për 1-vjetorin e fitores së zgjedhjeve të përgjithshme nga koalicioni i majtë, kryeministri u shpreh se “ne kemi qëndruar në lartësinë e besimit të dhënë prej 1 milion votuesve, por ky është vetëm fillimi”, ka theksuar kreu i ekzekutivit shqiptar.

Top Channel