
Opozita dhe të zgjedhurit e saj lokalë janë të gatshëm të dialogojnë me qeverinë për reformën administrativo-territoriale, nëse ajo heq dorë nga produkti i saj i deritanishëm, në hartimin e të cilit Partia Demokratike nuk pranoi të merrte pjesë, pa disa garanci politike.
Në një takim me shoqatën e të zgjedhurve vendorë, Lulzim Basha, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, thotë se dialogu për interesin e qytetarëve, dhe jo monologu i qeverisë për interesin e vet, është zgjidhja e një reforme afatgjatë.
“Ta lëmë, të paktën në këtë rast, konfliktin politik dhe dëshirën për të kapur çfarë të kapim, për të vënë edhe këtë hallkë të rëndësishme të qeverisjes dhe demorkacisë nën sqetullën e një megamazhorance, që e shikon pushtetin si një mundësi për të kapur çdo ishull pushteti jashtë tij dhe jo për të shërbyer e qeverisur. Por, nëse ka hapësirë për reflektim, jemi gati t’i përvishemi punës ashtu siç duhet, me transparencë të plotë, me debat, diskutime, shkëmbim pikëpamjesh”, tha Basha.
Zoti Basha vuri në dukje, me keqardhje, refuzimin e qeverisë për të marrë pjesë në këtë takim me ekspertë dhe të zgjehdur vendorë. Një refuzim që, sipas tij, lidhet me faktin e mungesës së argumenteve nga ana e qeverisë për të mbrojtur një model të vjetër, që nuk ka prioritet qytetarët.
“Mjerim më të madh se sa të komisionosh 4 studime dhe të mos dëgjosh asgjë nga ato që kanë për të thënë, por të shkosh përpara me variantin Enver Hoxha plus, që e kishe në mendje që në fillim, nuk ka. Një gjë është e sigurt, kjo skemë nuk do të funksionojë për qytetarët, kjo skemë nuk është e qëndrueshme, nuk kursen parà, por të ha më shumë parà, jo për t’i kthyer në investime, por për t’i hedhur graso dinosaurëve të rinj, të skemave të vjetra të komiteteve ekzekutive. Pra, le ta ndalim sa nuk është vonë. Le ta ndalim me forcën e arsyes”, shtoi Basha.
Nëse zëri i opozitës nuk dëgjohet, zoti Basha përsëriti qëndrimin e njohur të opozitës për të protestuar bashkë me qytetarët.
“Një gjë është e sigurt. Nëse thirrja e arsyes nuk funksionon, ne të zgjedhurit, sikundër edhe shumica e qytetarëve të lirë të këtij vendi, që besojnë se liria funksionon dhe jo mungesa e saj, nuk do të rrimë duarkryq, nuk do të rrimë të heshtur. Liria është tepër e çmuar për t’u sjellë si dele”, deklaroi Basha.
Axhenda e qeverisë parashikon që, deri në fund të javës, të përmbyllë edhe konsultat publike për 2 projektet e paraqitura nga Komisoni i posaçëm, ku opozita nuk mori pjesë. Dhe, sipas kësaj axhende, Parlamenti ka 1 muaj kohë për të miratuar njërin prej projekteve. Nëse palët do të bien dakord, siç kërkon opozita, për të nisur dialogun për reformën administrativo-territoriale, kjo do të thotë se ndarja e re nuk do të jetë gati për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Top Channel