
Qëndrimi pozitiv mbi Shqipërinë, i ministrit të Jashtëm spanjoll, Jose Garcia-Margallo y Marfil, sinjalizon përafrimin e qëndrimeve mes 28 shteteve anëtare të BE-së, mbi dhënien e statusit kandidat.
“Ështe e drejtë. Shqipëria, vitet e fundit, ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme. Statusi i kandidatit është i domosdoshëm pikërisht që këto reforma të iniciuara të kenë një vijimësi. Për ne është e rëndësishme, sepse ne kemi lidhje të ngushta me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe dëshirojmë që ndaj këtyre vendeve të rajonit të ruhet dhe të njihet perspektiva e integrimit europian”, tha Sebastian Kurc, ministër i Jashtëm i Austrisë.
Të mbledhur në Luksemburg, një ditë përpara ministerialit të NATO-s, kryediplomatët europianë diskutojnë me homologun e tyre ukrainas, duke vlerësuar mundësinë e sanksioneve shtesë ndaj Rusisë, si dhe për zhvillimet e fundit në Siri, Libi dhe Irak.
Statusi kandidat i Shqipërisë shqyrtohet zyrtarisht paraditen e së martës, në Këshillin për Çështjet e Përgjithshme, i cili përgatit dhe konkluzionet për samitin europian të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.
Krahas qëndrimit për kandidaturën e Tiranës, ministrat europianë pritet të miratojnë edhe strategjinë adriatiko-joniane, që prezantohet nga Komisioni.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel