
Franca do të mbështesë Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga Korça e ambasadores franceze Kristin Moro.
Ajo mori pjesë në ditët e muzikës në këtë qytet dhe u deklarua optimiste për vendimin e BE-së për Shqipërinë: “Kryeministri juaj ka qenë së fundmi në Francë ku ka takuar Presidentin e Republikës franceze. Ky takim ka kaluar në mënyrë shumë të ngrohtë dhe shumë pozitiv dhe Presidenti i Francës ka thënë që Franca mbështet Shqipërinë në rrugën e saj, ndërsa vendimi është kolektiv dhe do të merret javën që vjen nga KE-ja. Atë do të shohim në fundjavë, ndaj urimet më të mira për Shqipërinë. Në fakt, Shqipëria nuk po ndalon duke shkuar drejt statusit të vendit kandidat.”
Duke folur për operacionin e Policisë së Shtetit në Lazarat, diplomatja franceze e ka cilësuar këtë ndërhyrje si mjaft të rëndësishme dhe ka përkrahur policinë.
“Është një operacion shumë i rëndësishëm dhe pozitiv. Është afirmimi i prezencës së institucioneve në të gjitha pikat e vendit dhe është një veprim shumë i rëndësishëm për luftën kundër kulturës së kanabisit në Shqipëri. Kjo lloj kulture në Shqipëri fatkeqësisht është shumë e rëndësishme dhe prezenca e trafikantëve dhe drogave të tjera. E mbështes plotësisht ndërhyrjen e policisë, të gjykatës dhe Prokurorisë. Lufta kundër trafikut të drogës është një problem shumë i rëndësishëm që nuk duhet parë në një kënd të ngushtë, por në një këndvështrim shumë të gjerë. Vendimi do të merret në kuadër të një evolucioni që po ndodh prej shumë vitesh dhe ky operacion në Lazarat mendoj që është veprimi i parë në serinë e shumë veprimeve të tjera që do të vazhdojnë në një kohë më të shtrirë në Lazarat dhe në vende të tjera”, u shpreh zonja Moro.
Top Channel