
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar se, kur është bërë një vit nga ndërrimi i pushteteve, qeveria e majtë nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet që u ka bërë shqiptarëve.
Në një prononcim për mediat, Basha ka thënë se kryeministri Edi Rama duhet t’u kërkojë falje qytetarëve për mashtrimin e tij dhe jo t’i japë “medalje trimërie” ministrit të Brendshëm.
“Nuk ishte vendi sot për Edi Ramën të shkëmbente medalje trimërie me ministrin e tij dhe aq më pak të shpifte duke u fshehur pas tymnajës propagandistike kundër opozitës.
Një vit pas rrotacionit paqësor të pushtetit, kryeministri i vitit zero, që ka rënë në gropën e vitit zero, duhet së paku t’u kërkonte falje shqiptarëve për mashtrimet.
Do të kishte qënë e ndershme t’u shpjegonte se pse legalizimi nuk është falas, por më i shtrenjë se më parë. Përse shëndetësia nuk është falas, por është në gjendje skandaloze.
Pse nuk ka hapur qoftë edhe një investim të vetëm publik, qoftë edhe një vend të ri pune, madje shqiptarët kanë humbur mijëra vende pune në muaj gjatë qeverisjes së tij.
Një vit pas 23 qershorit, Edi Rama ritheksoi gjuhën e tij të urrejtjes dhe të konfliktit me opozitën e vendit, në vend që të ofronte kompromis dhe bashkëpunim për hir të interesave të larta të vendit.
E vemja gjë me vend që tha, është që nuk keni parë asgjë akoma. Dhe kjo është e vërtetë. Me Edi Ramën kryeministër gjërat do të shkojnë e po shkojnë keq e më keq”, ka deklaruar Basha.
Top Channel