Ilir Yzeiri – Ka shumë gjëra të jashtëzakonshme, por asnjë nuk është më e mrekullueshme se njeriu, thoshte Sofokliu.
I jashtëzakonshëm në kuptimin që ai është i mrekullueshëm dhe monstruoz në të njëjtën kohë. Njeriu është i tillë thonë specialistët e kriminalitetit, sepse asgjë nga ato që ai bën nuk është rrjedhojë e ndonjë aftësie të “lindur”. Në fakt, i vetmuar, i braktisur nga vetvetja, qenia njerëzore është e paaftë që të vërë në jetë potencialet fantastike që përmban. Njeriu është një kafshë politike dhe shoqëria i jep atij të gjithë përbërësit e domosdoshëm për ndërtesën e besimeve dhe mënyrave të sjelljeve. Mirëpo, fuqia e madhe krijuese që ka njeriu brenda tij përcakton gjithashtu një realitet të dyfishtë tek ai dhe e shtyjnë atë herë nga e mira e herë nga e keqja. Nga e mira, kur ai bëhet njësh me mitologjitë kolektive dhe ligjet e qytetit, në kuptimin antik të fjalës. Dhe, në të kundërt, kur ai nxitet nga ndjenja eksesive dhe kur gjendet jashtë lidhjeve me rrjetin e marrëdhënieve normale shoqërore, në këtë rast, ai shkon drejt asaj që specialistët e quajnë anomi dhe që në shqip do të thotë shkelje ligjesh. Kështu, një nga çështjet thelbësore të jetës në shoqëri është vetëkufizimi i individit dhe i komunitetit politik përmes vendosjes kolektive të ligjit.
Anomia e Lazaratit
Këto ditë, Lazarati u kthye në temën qendrore të të gjitha mediave, të opinionit shqiptar në përgjithësi dhe ishte në vëmendje edhe të mediave ndërkombëtare gjithashtu. Ajo që rrëfehej në këto kronika ishte lufta e shtetit për të marrë nën kontroll një fshat, i cili, në mënyrë demonstrative, kishte sfiduar mitologjitë kolektive të ligjit e të vetëkufizimit dhe jetonte me një ekonomi kriminale, duke e paraqitur imazhin e vendit tonë jashtë Shqipërisë në mënyrën më të shëmtuar dhe më të padenjë dhe duke krijuar, nga ana tjetër, idenë e rremë se pasuria është një çështje e guximit të njeriut dhe e anomisë, se një grup njerëzish mund ta nënshtrojnë gjithë kolektivin dhe ta përdhunojnë atë. Në këtë rast, ata njerëz që e kishin kthyer Lazaratin në një strofkë të krimit monstruoz, po silleshin me Shqipërinë më keq se ç’janë sjellë të gjithë pushtuesit e këtij vendi tradicionalisht. Në një shkrim të mëparshëm, mes të tjerash, theksoja se ne jemi një vend folklorik që drejtohemi nga instinktet e rrëfimeve nacionalromantike të luftërave me kundërshtarë që i mundim vetëm nëpër këngë e nëpër valle. Anomia e Lazaratit është një shenjë tragjike që tregon edhe sot se njeriu shqiptar në rrymë të historisë është përpjekur më shumë të imponojë forcën e tij dhe të zaptojë territorin jo për ta ndarë atë me të tjerët e ngjashëm si ai, por për ta kthyer atë në një mundësi kënaqësie e pasurimi, për të kënaqur egon e tij. Ne e studiojmë gjithmonë mbrapsht historinë tonë. Meqenëse jemi në jug të vendit, është rasti të kujtojmë një aventurier tjetër me përmasa gati mitologjike. E kam fjalën për Ali Tepelenën. Pashai i Janinës është një figurë komplekse dhe këtu nuk është rasti që të merremi me të, por ai lidhet mjaft me tipologjinë e krimit në Lazarat. Aliu është modeli i njeriut me një fuqi dhe zgjuarsi gati të mbinatyrshme, që arriti të ndërtojë pothuajse një Perandori të tërë me anë të krimit dhe të forcës. Mirëpo gjithçka që ai ndërtoi, gjithë pasurinë që ai krijoi, e trajtoi vetëm si një mall që do të kënaqte egon e tij. Nëse do të kërkonim të gjenim se cili është populli i Aliut, e kemi të vështirë ta gjejmë. Aliu është modeli i heroit pa atdhe, pa popull, modeli i egoizmit jashtëtokësor që nuk ka komunitet të tijin. Pasioni i tij i vetëm është pasurimi, pushteti mbi këdo e mbi gjithçka dhe autoritarizmi. Si ka mundësi që ky njeri nuk ndërtoi një shkollë? Pse? Sepse ai nuk identifikohej me asnjë komunitet. Ndërtimet e tij janë dhurata ose për gruan ose pa shenjë identitare. Ai i shfrytëzonte të gjithë njësoj, shqiptarë e grekë, maqedonas e gjithfarësh. Kjo është historia relativisht e re e shqiptarëve, por më vonë, krimi dhe egoizmi do të marrin përmasa politike.
24 vjet demokraci – piramida dhe Lazarat
Në këta njëzetekatër vjet që kanë kaluar nga rënia e regjimit komunist, ne kemi dërguar dy imazhe nëpër botë: luftën civile që përfshiu vendin pas rënies së piramidave në vitin 1997 dhe Lazaratin. Që të dyja këto ngjarje lidhen me paratë. Në rastin e parë, të gjithë shqiptarët ranë viktima të sindromit të pasurisë së shpejtë dhe pa punuar dhe shitën gjithçka për t’i këmbyer me para. Ndodhi ajo që ndodhi dhe shqiptarët vendosën një rekord unik. Bëjnë pjesë ndër ata popuj që në qoftë se çmenden, çmenden nga e mira, se të keqen mund ta durojnë pafundësisht. Mirëpo, në atë rast, pra në vitin 1997, ne e lemerisëm botën dhe detyruam organizmat ndërkombëtarë që të sjellin këtu kaskat blu. Nuk u besoj shumë mitologjive me kriminelë shqiptarë nëpër botë që herë janë në vend të parë e herë në vend të dytë në klasifikimet makabre të krimeve, se brenda njeriut krimi dhe virtyti jetojnë në të njëjtën strehë, por ajo që ndodhi me Lazaratin ishte vërtet e pafalshme, sepse ne, befas, e shpallëm veten një komunitet i shthurur. Më mbeti në mendje një opinion i një gazetari italian, që tha se edhe ne në Itali kemi mafien, se krimi nuk ka nacionalitet, por për ne, të huajt, është e pakuptueshme një gjë: mafia është e padukshme dhe policia e shteti ynë lufton e vritet me një gjë të padukshme. Kurse këtu te ju, krimi, mafia janë të dukshme, kanë zaptuar një territor dhe ju nuk i mundni dot. Ndaj të huajt lemerisen kur dëgjojnë pretendime për të marrë edhe ato territore që historikisht kanë qenë të banuara nga shqiptarë. Me të drejtë, ata mund të na thonë: përse i doni që t’i bëni si Lazaratin?! Ndaj, ajo që ndodhi në Lazarat është fillimi i një epoke të re. Edi Rama është shtetari i parë shqiptar që po kërkon të instalojë shtetin ligjor dhe që po kërkon ta kthejë territorin e Republikës në një pasuri për të gjithë shqiptarët dhe jo në një çiflig për kriminelët. Deri tani, asnjë shtetar i lartë nuk na e kishte dhënë këtë shembull.
Top Channel