“Të zgjedhim me votë ekipin e fitores”

22/06/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte në Lezhë dhe në Mirditë, prej nga u kërkoi demokratëve të përdorin me zgjuarsi votën e tyre, për të zgjedhur më të mirët. Sipas zotit Basha, kapërcimi me sukses i kësaj sfide të demokracisë së brendshme është një hap i sigurt për të çuar opozitën drejt fitores në përballjet e ardhshme elektorale.

“Sfida dhe qëllimi kryesor i këtyre zgjedhjeve, që po zhvillohen në të gjithë piramidën e partisë, ka qenë dhe është nxjerrja me votë e ekipeve të fitores. Kjo është një sfidë e përbashkët, një sfidë e gjithë anëtarëve, nga i pari tek i fundit. Jeni ju që vendosni, jeni ju që zgjidhni me votë të lirë. Kemi vënë votën e lirë në themel të organizimit dhe sistemit të karrierës në Partinë Demokratike. Kjo është një vlerë e jashtëzakonshme, është një vlerë që duhet të dimë ta përdorim me zgjuarsi dhe me përgjegjësi. Ne do të ruajmë e do të zhvillojmë me tej, në publik, reputacionin e një partie të mirë, duke zgjedhur mirë”, u shpreh Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike denoncoi atë që e quan keqqeverisje të vendit, nëpërmjet një mentaliteti të vjetër që, sipas opozitës, ka për qëllim përdorimin e pushtetit për interesa personale. Për Lulzim Bashën, kjo është një arsye më shumë, përse demokratët duhet të këmbëngulin, që alternativa e tyre për zhvillimin e vendit të bëhet e besueshme për shumicën e shqiptarëve.

“Me Edi Ramën dhe Ilir Metën, për fat të keq, nuk foli dhe nuk po flet dot një plejadë e re dhe një vizion i ri i së majtës shqiptare. Foli dhe po flet, kam bindjen për herë të fundit, një vizion i vjetër dhe i vjetëruar, që e shikon pushtetin si sulltanat personal. Përballë këtij realiteti të hidhur, ne kemi e duhet të zhvillojmë më tej, alternativën tonë të lirisë dhe zhvillimit, duke u orientuar më mirë dhe më fuqishëm drejt Shqipërisë që punon, krijon dhe prodhon në bazë të kësaj aksiome, që e kemi vendosur në radhët tona si kryesore dhe vendimtare; nismës së lirë dhe konkurrencës së lirë”, deklaroi Basha.

Top Channel