Rama-Meta promovojnë turizmin natyror

22/06/2014 00:00

Të bësh turizëm në Shqipëri nuk do të thotë të jesh vetëm afër detit, diellit dhe rërës. Për të promovuar një tjetër lloj turizmi atë natyror ku kanionet e Osumit janë një atraksion që s’duhen lënë pa u vizituar.

Kryeministri Edi Rama me ftesë të kreut të Parlamentit, Ilir Meta zgjodhi që fundjavën ta kalonte në zonën e Skraparit. Sipas zyrës së shtypit në Kryeministri qëllimi vizitës në këtë zonë lidhet me promovimin ekonomik dhe turistik.

“Jam i bindur që kanionet janë një potencial i jashtëzakonshëm për ta transformuar jetën ekonomike jo vetëm të qytetit dhe të zonës, por për të transformuar edhe kuptimin tonë për turizmin sepse gjithmonë e kemi menduar të lidhur vetëm me vijën bregdetare. Këtu është një pasuri shumë e madhe e pashfrytëzuar. Me lidhjen përfundimtare të kësaj rruge me Përmetin, të dyja këto lugina të mrekullueshme do të lidhen me këtë infrastrukturë që do të ndihmojë në shumëfishimin e numrit të turistëve”, tha Kryeministri Rama.

Kreu parlamentit Meta u shpreh se ndërtimi i rrugëve të kësaj zone marrin një rëndësi jetike për zhvillimin e turizmit.

“Kjo rrugë e re përfaqëson një shpresë të madhe për të gjithë komunitetin këtu, për të ardhmen e perspektivën e tij dhe unë besoj se me këtë vizion të ri që kemi për mjedisin, për natyrën, për turizmin, absolutisht që ne kemi një resurs të jashtëzakonshëm për ta shndërruar gjithë këtë luginë të Osumit në një burim të jashtëzakonshëm mirëqenie dhe progresi për gjithë komunitetin dhe në një atraksion unik për gjithë turistët”, deklaroi kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

I impresionuar nga eksperienca e parë në kanionet e Osumit, Rama e shpalosi atë me një batutë në drejtim të aleatit Meta, tashmë i apasinuar pas këtij lloj sporti.

“Sinqerisht u ndjeva shumë keq që mu desh të bëhem thuajse 50 vjeç, për t’i parë kanionet, por pastaj u ngushëllova kur më thanë që edhe Iliri i ka parë këtë vit”, u shpreh Rama.

Vizitë në bizneset lokale
Rama: Projekte të reja për të rilindur Beratin

Gjatë qëndrimit në Skrapar, Kryeministri Rama dhe Kryetari i Kuvendit Meta vizituan edhe biznesin fason të prodhimit të këpucëve, investim i kompanisë “Alba Shoes Group”, hapur vetëm pak kohë më parë, në Çorovodë.  Më pas, ata u ndalën edhe në hidrocentralin e Vlushës, që ngrihet mbi lumin e Çorovodës, degë e lumit Osum, një investim me vlerë 16 milionë Euro.

Në kthim, Kryeministri Rama u ndal në Berat, ku inspektoi punimet për pedonalen në qendër të qytetit, nga ku njoftoi edhe nisjen së shpejti të dy projekteve të reja, me rëndësi për rilindjen e qytetit, parkun e ri dhe rrugën e lumit. Ndërtimi i pedonales është një investim i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, në bashkëpunim me bashkinë e qytetit, që përfshin rinovimin e shëtitores dhe sheshit qendror.
 

Top Channel