Pas përjashtimit të ish-kryeministrit Berisha nga Parlamenti, kryetari demokrat Lulzim Basha e ka legjitimuar sjelljen e paraardhësit të tij, si damaskim i asaj që cilësoi sjellje e papranueshme e kryministrit Rama me vartësit e tij.

Në një prej takimeve me bazat e PD-së, Basha tha se janë një sërë sjelljesh të dënueshme, sipas tij të kreut të qeverisë, që refuzohen nga demokratët.

“Ne nuk do të pranojmë pushtetarë që çnderojnë vartësit, poshtërojnë bashkëpunëtorët, dhunojnë fizikisht gazetarët dhe diplomatët. Kjo nuk është Shqipëria që duam. Kjo nuk është Shqipëria që ëndërrojmë. Lideri është simboli që reflekton Shqipërinë, i një kombi që krijon modelin e sjelljes së bashkëpunëtorëve të vet. A na përfaqëson ne një njeri që përdor gjuhën më të ulët ndaj grave, ndaj zonjave, që prek dinjitetin e familjeve të tyre, që i lë me orë në pritje për t’i sfiduar aleatët, apo që ju mban leksione fyese europianëve? Përmes transparencës ne do t’i vëmë fre këtij tipi pushtetari që kërkon pilula anti-depresive për vendin dhe do ta bëjmë këtë para se depresioni i tij të kthehet në depresion gjithëkombëtar”, deklaroi Basha.

Duke revokuar kohën e opozitës së shkuar të demokratëve, Lulzim Basha shprehu bindjen se, duke zgjedhur përmes votës më të mirë në krye të strukturave të PD, kjo forcë politike do të ringrihet më e fortë.

“Edhe në vitet apo ditët më të errëta të opozitës ne kemi dalë para shqiptarëve kryelartë dhe jemi kthyer si shumicë morale, pastaj politike, jo duke u matur se kush e ka bashimbozukun më të fortë, se kush ka bërë më shumë burg e kush ka qenë më i fortë në atë burg, por duke u nxjerrë këtyre kriminelëve, këtij llumi të shoqërisë, forcën e vërtetë të demokratëve që janë më të mirët, më popullorët, më të vendosurit, më të përkushtuarit e më të sinqertë me qytetarët”, u shpreh Basha.

Top Channel