Rendi i fjalës dhe i Kuvendit

20/06/2014 00:00

Nga Ndue Dedaj: E enjtja është kthyer në një arenë të fjalës së dhunshme parlamentare dhe të sjelljes së vrazhdë të deputetëve ndaj njëri-tjetrit, sa thua më mirë në këtë ditë të javës të planifikosh një rrugëtim për diku larg, në ndonjë bjeshkë a vërrí, ku nuk kapin valët televizive, derisa të vijë e nesërmja pa sherrnajë politike, pasi e di fort mirë se si do të “ligjërohet” aty, apo nuk ka një nen absurd që shpërfill etikën parlamentare dhe të drejtën e fjalës: deputeti nuk mban përgjegjësi për ato që thotë në Kuvend.

Një nxënës shkon për vjeshtë, nëse nuk di ta ujdisë fjalën me gojë e me
shkrim, kurse të zgjedhurit mund ta shpërdorojnë atë, pasi jo vetëm që
nuk mbetën për “vjeshtë”, por marrin shpërblim nga partia e tyre për
oratorinë e tyre të “fortë” keqane.
Është një temë kaq e rrahur nga mediat, tryezat e debatit, publiku, të
gjithë shtrembërojnë fytyrat kur bie fjala për duelet parlamentare të
mërzitshme të së enjtes, lëshoje njëri e kape tjetri (na e kanë bërë
vërejtje dhe të huajt disa herë, përfshi dhe ambasadorin Arvizu), sa pak
besim ke se mund të ndikosh që fjala parlamentare të kultivohet e
emancipohet disi.

E megjithatë, meqë shpresa nuk shteron kurrë, po
përpiqemi të shkoqisim për lexuesin se si kanë folur në shekuj mes tyre
të parët tanë, ata që rrallë kishin mësuar nëpër shkolla shkrim e
këndim, ngaqë ato u mungonin. Për njerëzit që nuk kanë një kuptim mbi
peshën e fjalës në kuvendet shqiptare, shprehur qartë dhe në Kanun, kjo
që po themi mund të duket si një gjë si e legjendshme.

Në të vërtetë kemi një model të fjalës së lirë që të magjeps në një shoqëri të vjetër, të prapambetur nga ana ekonomike, por jo dhe nga mendësia me sens drejtësie dhe mënyra aristokratike e sjelljes. Edhe këtu e para ishte fjala, njëlloj si në Bibël. Fjala kishte një ngarkesë të pazakontë kuptimore, ndaj dëgjuesi ishte gjithnjë veshtak për të kapur nëntekstin e për të kthyer përgjigjen e duhur. Kur ai nuk e gjente atë, heshtte, pasi ishte më e denjë të heshtje sesa të flisje sa për të folur, se të qeshnin të gjithë dhe nuk e merrje më veten. Humbisje në log të kuvendit e kjo ishte më e rëndë se humbja në fushën e betejës.

Lufta mund të ishte njëherë në jetë, kurse kuvendet ishin të përhershme. Masa e burrit nuk ishte metra por fjala e gojës. Vetëm njëherë mund të gaboje në kuvend e jo si deputetët tanë, disa prej të cilëve gabojnë sa herë flasin. Fjala ishte institucion më vete dhe kjo e kishte bërë odën apo kuvendin institucion të mirëfilltë. “Me ndejt shtrembët e më fol drejt” është kryefjala e kuvendimit ndër malsorë. Kurse në kohën e sotme kjo aksiomë shpesh përdoret në të kundërtën e vet “Me ndejt drejt e me fol shtrembët”.

Ka deputetë që ke dëshirë t’i dëgjosh, që flasin në Kuvend apo në media shtruar e me argumente, përfshi dhe rastin e fundit të Lazaratit, për mbështetjen e Policisë së Shtetit në superaksionin kundër drogës dhe trafikantëve të saj, çka mendojmë se duhet të jetë dhe lajtmotivi i kësaj të enjte parlamentare! Por ka dhe deputetë që i japin “temporitëm” politizues Kuvendit, disa syresh prej shumë mandatesh aty.

Një çerekshekulli i kalon limitet e çdo politikani të djathtë a të majtë për të qenë aktiv si ditën e parë. Ka pastaj gjasë që ajo energjia pozitive të kthehet në të kundërtën e vet, domethënë me “ndejt drejt e më fol shtrembët”. Vetëm udhëheqësit e djeshëm “ktheheshin” në shtëpi, kur nuk mund të shkelnin më me këmbët e veta në zyrë, mbaheshin aty për merita të Luftës e të punës siç thuhej. Kurse demokracia e ka ndryshe.

Nëse je i zoti dhe ke se çfarë të thuash, dëgjohesh dhe pa folur. Në përballjen parlamentare ka replika e polemika, po herë-herë dhe batuta. Kjo puna e batutave është kthyer në një kredo e politikanëve tanë, që shpesh nuk kanë as shijen e bejteve popullore. Nuk ia përtojnë kësaj as disa gra deputete, sikur kjo të jetë një gjë pa të cilën nuk e kalon provimin e të qenët parlamentare; si ato burrneshat e motit, që më shumë i ka bërë luftarake propaganda me ngjyresë patriotike se sa kanë qenë në të vërtetë. Si nuk kuptohet se ky komunikim inatçor e ironik në kulm iu shkakton shqetësim atyre që paguajnë për të mbajtur deputetët në Kuvend e që quhen taksapagues?

E nëse kthehemi prapë te kuvendet shqiptare, tradicionale, pjesë e ligjërimit ishte dhe humori, grotesku, sipas situatave, por asnjëherë pa vend. Satira që i shkonte përshtat Tefë Palushit në Shkodër, si artist i karikaturës, nuk i shkonte një akademiku të kollarisur me pamje zotnie, jo se mjeshtri i batutave nuk ishte zotni e shkuar tij, por ai dallonte nga gjithë elita e qytetit të vet, si një tip sui generis. Tek e fundit Tefa mbetet më i përmendur se të gjithë sekretarët e parë (që ishin dhe në Byronë Politike) e kryetarët e Bashkisë së Shkodrës, pa dashur aspak t’i ulim ata nga rangu që kishin.

Tefa që nuk kishte kurrfarë pompoziteti e pasurie, që shkonte me një biçikletë të thjeshtë rrugicave të Shkodrës, kur udhëheqësit e qytetit të Veriut gëzonin një pushtet prej “pashallarësh”. Në Pogradec lartohet vetëm shtatorja e Lasgushit buzë liqerit të tij, nuk mjaftuan sagat udhëheqësore të Drilonit, me roja të pafundme rreth e rrotull të parit të vendit, që ai të mund të ishte sot në një përmendore aty. Profecia e poetit doli: “Sekretarët vinë e venë, poetët bëjnë atdhenë”.

Por kjo vetëm sa për kujtesë për burrat e shtetit dhe natyrisht dhe gratë e shtetit (nëse mund ta fusim në përdorim dhe një term të tillë), që nuk duhet të harrojnë se e tashmja bëhet shpejt histori, e nuk dihet pastaj se si ata/ato mund të ndihen në postqeverisjen e tyre. Pas ‘90-s nuk u dëgjua thuajse asnjë anëtar i Byrosë Politike apo i KQ të thoshte diçka për t’u mbajtur mend, se gjithnjë kishte folur vetëm partia përmes gojës së tyre, thënë ndryshe, karrigia. Ata zyrtarë të lartë duke ndenjur përherë në majë të piramidës, ishin tjetërsuar, kishin të njëjtën qasje rrumbullake ndaj gjithçkaje e gjithkujt, paçka meritave të secilit individ.

Mirë ata që kanë jetuar në të dy kohët, po stilit punist ndër rishtarët e politikës si i bëhet? Se janë të rrallë ata të rinj që shfaqen ndryshe, që shpalosin një personalitet të vetin. Duket që nga zëdhënësit, këta lëçitës të fjalës politike-publike që të bëjnë për të qeshur me pozat aktoreske që marrin para kamerës, duke mos u marrë me problemin, por me acarimin e kundërshtarit. “Shoh ndonjë deputete të re në moshë që flet gjithandej, replikon me të gjithë, por nuk kam lexuar dhe dy rreshta të shkruar prej saj”, thoshte njëri me shpoti. “Në Kuvend ka deputetë që nuk kanë folur kurrë, si mund të jenë aty?” shkruante një tjetër në rrjetin social.

Një gjë është e qartë, në vendin e Kuvendit kanë shkuar shumë nga ata që nuk e kanë fjalën për zanat, njëlloj si të dalë në skenë për të kënduar dikush që nuk ia thotë të kënduarit. Kjo vetëm në Shqipëri ndodh, t’i gjendet njeriut puna e jo punës njeriu. E çfarë pune se, deputet! Nga ana tjetër, si mund të përtypen në publik akuzat e parlamentarëve ndaj njëri-tjetrit për lidhje me krimin, korrupsionin etj. Nëse është kështu, cila do të jetë e nesërmja e parlamentarizmit në këtë vend?

Gjithsesi, edhe pse i kanë votuar zgjedhësit njerëzit e paracaktuar për të qenë deputetë, është politika që ka krijuar një Kuvend sherri si ky yni, ku e enjtja parlamentare është më se e mundimshme për të gjithë, edhe për vetë ata që “punojnë” gjithë javën për të shpërthyer këtë ditë kundër palës tjetër, kinse duke bërë politikë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA